Qumështorja “VITA” ka reaguar pas konferencës për media të ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, duke kërkuar publikimin e rezultateve të analizave të mostrave të produkteve të saj, për të cilat thotë se ende nuk janë bërë publike.

Në reagim, fabrika thotë se ministri gjatë konferencës ka paraqitur vetëm të dhëna që janë të qasshme në institucionet si Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, pa prezantuar informacione të reja.

Sipas tyre, rezultatet e analizave, të cilat kompania thotë se i pret prej 33 ditësh, nuk janë publikuar, pavarësisht pritjeve që kjo të ndodhte gjatë ditës së sotme.

“Ne jemi të bindur që të gjitha produktet tona janë të etiketuara në përputhje me dispozitat ligjore. Megjithatë, Ministria dhe AUV duhet t’i publikojnë menjëherë rezultatet e analizave të mostrave”, thuhet në reagim.

VITA ka kundërshtuar edhe deklaratat e ministrit lidhur me furnizimin me ujë dhe numrin e punëtorëve, duke theksuar se posedon leje ujore dhe impiant për trajtimin e ujërave të ndotura, ndërsa numri i punëtorëve, sipas saj, është i deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës, nën emrin “Abrazen LLC”.

Në fund të reagimit, Qumështorja ka garantuar se produktet e brendit të saj janë të prodhuara “100 për qind nga qumështi i freskët i fermerëve kosovarë” dhe i ka bërë thirrje ministrit të ndalë, siç i quan kompania, “shpifjet”, duke u informuar paraprakisht para deklarimeve publike.