Këngëtari Qazim Beka, po këmbëngulë se po të mos ishte kërkesa e tij për një këngë kushtuar komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, super-hiti “Mora fjalë” nuk do të ekzistonte.
Beka që edhe vet është ish-luftëtar i UÇK-së, ishte i pari që në vitin 2001 e këndoi këngën me tekst e muzikë të Naim Gjoshit, që e porositi dhe pagoi vet.
“Andaj e telefonova kompozitorin edhe e porosita këngën, i dhashë si ide me bë një këngë për 3-vjetorin e rënies së komandantit Adem Jashari. Mandej ai e ka e ka bë tekstin, e ka bë komponimin, ka ardhur në Prishtinë këtu, jemi takuar, e kam marrë këngën, e kam paguar sipas marrëveshjes…. Domethënë, për herë të parë publikisht jam prezantuar në vitin 2001, në 3-vjetorin e rënies të Adem Jasharit me me këngën…”, ka deklaruar Beka.
Por, Beka pohon se Gjoshi asnjëherë nuk ia njohu autorësinë e ideatorit të këngës, ani se ky ishte që e kishte porositur e paguar, më pas e kishte kënduar atë me titullin “Çohu Adem”.
“Unë me thënë të drejtën që dy vite e më tepër nuk kam kontakt me Naim Gjoshin, se kur kam kërkuar unë prej Naim Gjoshit me më dhanë me shkrim që këngën e ka bërë me porosinë time edhe e ka bërë për mua, kam kërkuar me më dhanë me shkrim, po s’ka pranuar me më dhanë me shkrim”, ka thënë Beka.
E pyetur për këtë, zyra ligjore e kompozitorit Naim Gjoshi ka thënë se Beka nuk mund të kërkojë një dokument që, sipas tij, do ta përcaktonte si autor të këngës, pasi teksti dhe kompozimi i saj janë të Gjoshit.
“Kjo s’të bën autor. Ky tekst dhe kompozim është i Naim Gjoshit. Dhe çdo person tjetër që e ka performuar nuk është pronar i tekstit dhe i muzikës sepse s’ka asnjë kontratë”, ka deklaruar zyra ligjore në emër të Gjoshit.















