Tash e pesë ditë, po vazhdon greva e punëtorëve të kompanisë rajonale “Pastrimi” para objektit të Komunës së Prishtinës, të cilët kanë deklaruar se do të qëndrojnë aty derisa t’u plotësohen kërkesat e tyre.

Spias tyre Komuna e Prishtinës u ka borxh kësaj kompanie 2.7 milionë euro. Ata, kërkojnë po ashtu që t’u kthehet borxhi për derivate e kamionë.

Njëri nga punëtorët e kësaj kompanie, Ilaz Rexhepi ka thënë për KosovaPress se “vetëm të vdekur mund të na nxjerrin, nuk do dorëzohemi”.

Rexhepi, ka thënë se nëse nuk do plotësohen kushtet e tyre atëherë do marrin edhe masa të tjera përveç grevës.

“Problemin e kanë këta te drejtori jonë, gjoja për keqmenaxhim. Unë kam dal me e mbrojtir punën time e familjen, sepse me këtë pagë mbaj familjen time, i kam fëmijët në shkollë. Përveç kësaj page nuk kam të tjera të ardhura, mirëpo këta e kanë problemin që nuk e kanë njeriun e LDK-së te ne, sepse me pas (kjo parti) moti edhe si kompani ‘Pastrimi’ i kishte humbur emri se e kishin privatizua…Vetëm kufomë me na nxjerrë, nuk kemi me u dorëzua, vetëm po na matin durimin tonë, do të ndërmarrim masa”, ka thënë Rexhepi.

E Sedat Rukovci, ka shtuar se kjo kompani ka vite që keqtrajtohet e është lënë “mbas dore” nga Komuna e Prishtinës.

“Mirë po shkon greva nuk kemi ndërmend me u dorwzuar deri në plotësim të kërkesave të punëtorëve…Nuk është çështja vetëm sot, këtë kompani e kanë lënë mbas dore me vite të tëra, investime të dobëta edhe punëtorit dikur i vjen një moment kur çka është mjaft është mjaft, dhe jemi detyrua me ardhur këtu”, ka shtuar Rukovci.

Ndërsa, nënkryetari i sindikatës të punëtorëve, Shpend Qosa ka potencuar se “Pastrimi” ia ka parë “sherrin” Komunës së Prishtinës që nga momenti kur ka lajmëruar qytetarët që t’i paguajnë mbeturinat në komunë e jo në kompani.

Qosa ka thënë se nëse mbesin pa rroga siç kanë mbetur pa derivate, atëherë sipas tij, kompania do të falimentojë.

“Edhe në vikend ka vazhduar greva 24 orë dhe sot vazhdon dhe do vazhdojë dhe nuk do të ndalet deri në plotësimin e kushteve tona të cilat janë bazike dhe primare…Duke pasur parasysh se ne prej 14 maj kemi mbetur pa derivate, ne mundemi me mbet edhe pa rroga dhe nëse mbesim atëherë edhe kompania është në falimentim…Komuna na ka dëmtuar, rastin e parë kur ka thënë mospaguani në ‘Pastrim’ por në komunë, janë bërë disa pagesa në komunë dhe qytetarët nuk kanë paguar hiç dhe këtu kemi ardhur te mungesa e financave”, ka potencuar Qosa.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci ka thënë se punëtorët e “Pastrimit” janë të “manipuluar”, dhe sipas tij nuk e kanë të qartë se “çka po duan pasi që nuk po mendojnë me mendjen e tyre”.

Tutje, Brestocvi tha se Komuna nuk i ka as edhe një euro të vetme borxh ndërmarrjes “Pastrimi”.

“Një narrativë, tregim e ndërtuar mbi një të pavërtetë të madhe gjoja se Komuna i ka borxh ‘Pastrimit’  2.7 milionë euro, e që e vërteta qëndron se Komuna nuk i ka as edhe një euro të vetme borxh ndërmarrjes ‘Pastrimi’…Në asnjë formë, asnjë moment dhe asnjë veprim, ne nuk kemi rrezikuar ekzistencën e ‘Pastrimit’ dhe nuk pretendojmë e as nuk dëshirojmë ta vëmë në pikëpyetje ekzistencën e saj… Punëtorët nuk e kanë të qartë se çka po duan, janë të manipuluar, orkestruar e dirigjuar dhe nuk kanë mundësi të mendojnë me mendjen e tyre”, ka thënë Brestovci.
Kompania “Pastrimi” ka nënshkruar një kontratë me Komunën e Prishtinës prej 1.5 milion euro në të cilën u ofrohet punëtorëve një e treta e zonës së kryeqytetit dhe dy kamionë shtesë, por këtë kontratë nuk po e pranojnë punëtorët pasi që sipas tyre nuk i plotëson kushtet që ata po i kërkojnë.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës ka angazhuar dy kompani private për të pastruar kryeqytetin nga mbeturinat.