Mosngritja e pagave tash e 15 vite, për dy herë radhazi ka shtyrë punëtorët e hekurudhave që të protestojnë.
Javën e kaluar ata ndaluan qarkullimin e trenit për një orë në shenjë pakënaqësie ndaj gjendjes aktuale ekonomike dhe sociale.
Ata kishin paralajmëruar se nga 26 maji do të hynin në grevë, por e njëjta është shtyrë për javën e dytë të muajit të ardhshëm.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin kryetari i Sindikatës së Hekurudhave “Trainkos”, Florim Gjyrevci.
“Ju njoftoj se greva e cila ishte planifikuar për sot (e hëne) është shtyrë për javën e dytë të muajit të ardhshëm për arsye se jemi në bisedime me bordet dhe menaxhmentet tona. Për veprimet sindikale do të ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Gjyrevci.
Protestat e mëhershme janë mbështetur dhe nga “Infrakos”. Kryetari i Sindikatës së “Infrakos”, Hysen Nikçi, kishte deklaruar se kërkesa e vetme është rritja e pagave.
Madje “Trainkos” përmes një letre më 29 prill i ishte drejtuar Ministrisë së Ekonomisë ku e kishte paralajmëruar për veprimet e tyre sindikale.
Ndryshe Telegrafi javë më parë i ka shkruar edhe Ministrisë së Ekonomisë lidhur me këtë qështje, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje