Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka mbyllur paraqitjen e provave të saj në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin lidhur me administrimin e drejtësisë.
Ndryshe, gjyqtari i vetëm në këtë çështje gjyqësore, Christoph Gosnell ka vendosur 23 marsin 2026 si datë që mbrojtja mund të dorëzojë mocionet për rrëzimin e akuzave. Ndërsa, kundërpërgjigjet e saj, Prokuroria duhet t’i dorëzojë deri më 25 mars 2026, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Varësisht prej vendimeve të gjyqtarit në mocionet e mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, mbrojtja është obliguar që të tregojë në rast se do paraqesin prova. Dhe nëse po, 7 prill është caktuar si datë për deklaratat hyrëse të mbrojtjes, e që më pas do të dëgjohen dëshmitarët e tyre, proces ky i planifikuar të zgjasë deri më 24 prill 2026.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.















