Përfaqësues të bizneseve, punëtorë e qytetarë, kanë protestuar kundër vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë, që godet bizneset.
Protestuesit kanë kërkuar nga Qeveria që ta pezullojë këtë vendim për një vit, në mënyrë që bizneset të përgatiten.
Nacionale e ka përcjellur protestën, dhe sjell imazhet kryesore të shkrepura nga fotoreporteri Visar Kadrolli.
“E kemi një kërkesë të vetme: na jepni një fazë të tranzicionit, përgatiteni tregun e më pas edhe një paketë që e kanë pasur të gjitha vendet e Evropës, por edhe më gjerë që i kanë ndihmuar bizneseve të mos e vërejnë asnjë efekt negativ, të mos ndikojë në ulje ose në mbyllje te biznesit. Ne nuk jemi fajtorë që së pari nuk është përgatitur tregu, nuk kemi konkurrencë, kemi monopol. Nuk është asnjë biznes kundër daljes në treg të lirë, duam të kemi treg të lirë, duam konkurrencë, duam të dalim në treg të lirë me vullnetin tonë, jo në mënyrë të dhunshme. Ata që na injorojnë nuk do të fitojnë”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
U paralajmëruan edhe protesta të tjera.
“Ju sot pritni që Qeveria, ZRRE të merr vendime të favorshme për ju, por nëse nuk do të merr vendim atëherë bizneset, përfaqësuesit e tyre do të vendosin për protestat e ardhshme”, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve./nacionale.com










