Protesta e thirrur nga veteranët e luftës për kundërshtimin e padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë, pritet të fillojë në orën 17:00. Ajo do të mbahet në sheshin ‘Skenderbeu’ në Prishtinë.
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë një protestë masive të enjten në Prishtinë, kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë, ku po mbahen dhe gjykohen krerët e UÇK-së.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se pret që kryeqyteti të vërshohet nga qytetarë shqiptarë nga të gjitha trojet.
Protesta, sipas Gucatit, ka marrë mbështetje nga të gjitha partitë politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë në detyrë.
“Nesër presim që Prishtinën ta vërshojë i gjithë kombi shqiptar. Edhe jashtë kufijve të Kosovës. Ne shpresojmë që nesër do të kemi një numër të madh të qytetarëve. Që mundtë them besoj që do arrijmë qëllimin tonë. Do të marrë pjesë edhe lideri i shqiptarëve në Maqedoni Ali Ahmeti. Po edhe nga shteti amë do të marrin pjesë, në mënyrë të organizuar me autobusë dhe me makina. Presim shumë njerëz nesër. 106 autobusë janë vetëm në Kosovë nesër prej komunave të ndryshme. Përkrahje kemi marrë prej të gjitha partive politike, përveç VV-së dhe qeverisë në detyrë”, ka thënë Gucati në emisionin FIVE të Dukagjinit.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ftuar për bashkëngjitje në protestën e veteranëve kundër Gjykatës Speciale.
Ai ka kërkuar që të mos rishkruhet historia dhe lufta e shqiptarëve për liri.
“Nesër, më 7 gusht, në ora 17:00, mblidhemi të gjithë në sheshin “Skënderbeu” – në një protestë që nuk është thjesht reagim, por një akt ndërgjegjeje kombëtare. Le të jehojë zëri i secilit që nuk pranon që lufta për liri të njolloset, që historia jonë të rishkruhet padrejtësisht, e që drejtësia të kthehet në padrejtësi. Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën”.
Ali Ahmeti do të jetë njëri nga katër folësit që pritet t’i drejtohen qytetarëve në protestën e veteranëve të luftës të UÇK-së, të ftuar për të enjten.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) do të jetë i ftuar special në protestë, tha sot nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gazmend Syla.
Syla tha se në protestë do të ketë edhe tre folës të tjerë, përfshirë kryetarin e organizatës, Hysni Gucatin.
Protesta e thirrur nga veteranët e luftës për kundërshtimin e padrejtësive të Gjykatës Speciale në Hagë, pritet të fillojë në orën 17:00. Ajo do të mbahet në sheshin ‘Skenderbeu’ në Prishtinë.















