Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur pas takimeve veç e veç me liderët e partive politike lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Presidentja Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot takime të veçanta me kryetarët e partive kryesore politike, në kuadër të konsultimeve për konstituimin e Kuvendit, pas Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Në këto takime, Osmani u takua me kryeministrin në detyrë dhe kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Liderët politikë shpalosën qëndrimet dhe interpretimet e tyre lidhur me aktgjykimin dhe hapat që duhet ndjekur për të avancuar procesin e konstituimit të Kuvendit, duke u fokusuar në nevojën për bashkëpunim dhe gjetjen e një marrëveshjeje brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e konstituimit të institucioneve për të ruajtur vlerat demokratike dhe për të mos penguar zhvillimin e shtetit, si dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucione.
Siç njofton presidenca, “liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Osmani, sipas komunikatës, “u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit”.
“Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione”, u tha në komunikatë.
Në njoftim u tha se e para e shtetit do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, “në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës”.














