Më 29 maj, gjyqtarët e rastit të krerëve të UÇK-së në Hagë, morën vendim për pranimin e disa provave të fundit të Prokurorisë së Specializuar.

Fjala është për disa raporte ndërkombëtare, ku kërkesa e Prokurorisë u pranua pjesërisht.

Si rezultat, provat e fundit të dorëzuara nga Prokuroria, dhe koha që kërkuan deri në vendimmarrje, ka shtyrë edhe më tutje procesin gjyqësor, raporton Nacionale.

Fillimisht, kishte qenë e planifikuar që mbrojtja e krerëve të UÇK-së ta dorëzonte mocionin për rrëzimin e akuzave, deri më 2 qershor.

Megjithatë, në seancë e para disa javëve ishin lënë të hapura dy opsione: ose 2 qershori, ose dy javë pas pranimit të provave të fundit materiale.

Në rastin konkret, vendimi për provat e fundit erdhi më 29 maj, dhe afati për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së është shtyrë.

Tash, avokatët pritet të kenë kohë deri më 10-12 qershor për të dorëzouar mocionet nëpërmjet të cilave, do të kërkojnë rrëzimin e disa akuzave.

Pasi që avokatët ta dorëzojnë këtë mocion, Prokuroria do të ketë kohë 30 ditë për t’u përgjigjur.

E më pas, gjyqtarët do ta kenë kohën e nevojshme për ta marrë vendimin.

Në secilin variant, procesi gjyqësor shtyhet.

Avokatët patën kritika të mëdha për provat e fundit që i dorëzoi Prokuroria.

Në një parashtresë për gjyqtarët, avokatët kanë thënë se prej 31 marsit deri më 15 prill 2025, janë dorëzuar mbi 500 dokumente. Sipas avokatëve, këto dokumente nuk kanë vlerë provuese, dhe qëllimi i Prokurorisë ka qenë vetëm për ta komplikuar gjithë rastin.

“Mocioni, i cili u paraqit një ditë para se Prokuroria të mbyllte çështjen e saj, ofron 195 dokumente të mbetura, duke rritur më tej numrin tashmë të madh të dokumenteve të paraqitura pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të Prokurorisë. Në vend që të kërkonte pranimin e synuar të provave diskrete, Prokuroria përpiqet të mbushë dosjen me dokumente me dobi të dyshimtë. Kjo e mbingarkon dosjen e çështjes”, thuhet në dokument, raporton Nacionale.

Në parashtresën që e ka parë Nacionale, bëhet e ditur se këto dokumente, ndërlidhen me artikuj të mediave, video e intervista si dhe libra të ndryshëm

“Prokuroria gjithashtu paraqet një numër të madh artikujsh mediatikë, videosh, intervistash dhe fragmentesh nga libra. Shumë prej këtyre artikujve janë të parëndësishëm, pasi ato paraqesin pikëpamjet e individëve pa lidhje të provuar me UÇK-në, ose u mungon vlera provuese, pasi bazohen në thashetheme nga burime të paidentifikuara. Megjithatë, disa artikuj kërkojnë shqyrtim të mëtejshëm sepse pretendojnë të jenë intervista me të Akuzuarit, ose kërkojnë të përcjellin deklarata të supozuara prej tyre. Duke mos i intervistuar ose thirrur si dëshmitarë autorët e tyre, ose duke mos i paraqitur dëshmitarëve ndonjë nga fragmentet përkatëse për verifikim, paraqitja e këtyre dokumenteve në fund të çështjes së Prokurorisë, pa asnjë mundësi që Mbrojtja të përballet në mënyrë kuptimplote me përmbajtjen e tyre, është shumë paragjykuese dhe nuk duhet të lejohet”, thuhet në dokument, raporton Nacionale.

Avokatët kanë theksuar, sërish, që kjo formë e punës, përbën shkelje të gjykimit të drejtë për të akuzuarit.

“Në Shtojcën 1 të Mocionit, Prokuroria paraqet artikuj mediatikë, video dhe intervista me individë të shumtë, përfshirë të Akuzuarin. Këto materiale përfshijnë disa dokumente, duke filluar nga artikuj kryesisht të parëndësishëm deri te intervista që i atribuojnë deklarata të Akuzuarit, të cilat prekin thelbin e çështjeve aktuale në këtë çështje. Parashtrimet e Prokurorisë në lidhje me këto dokumente karakterizohen nga të njëjtat të meta themelore: Prokuroria nuk i thirri autorët e dyshuar për të dëshmuar dhe nuk është në gjendje të ofrojë informacion në lidhje me rrethanat që lidhen me këto intervista dhe saktësinë e tyre. Vendimi i Prokurorisë për të paraqitur këto dokumente në përfundim të çështjes së saj nuk është thjesht proceduralisht i padrejtë – ai godet në thelb të drejtën e të Akuzuarit për një gjykim të drejtë. Duke i mbajtur këto dokumente jashtë përdorimit deri në këtë fazë, Mbrojtja është privuar nga çdo mundësi kuptimplote për të testuar saktësinë dhe besueshmërinë e tyre përmes pyetjeve të kryqëzuara”, përfundon parashtrimi.