Auditimi zbulon se dhjetëra zyrtarë të suspenduar vazhdojnë të kompensohen përtej afatit ligjor, ndërsa qindra të tjerë mbajnë pozita menaxheriale pa i përmbushur kriteret e gradimit, duke rrezikuar profesionalizmin dhe buxhetin e Policisë së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Një tjetër skandal financiar është zbuluar në Policinë e Kosovës. Sipas raportit të fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2024 të MPB-së, 69 zyrtarë të suspenduar kanë vazhduar të paguhen me 50% të pagës edhe përtej afatit ligjor prej gjashtë muajsh, në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 02/2023.

Ky udhëzim përcakton qartë se suspendimi nga puna mund të zgjasë maksimalisht gjashtë muaj dhe pas këtij afati, punëdhënësi është i obliguar ta kthejë të punësuarin në detyrë ose t’i ndërpresë kontratën. Megjithatë, auditori ka zbuluar se ka zyrtarë të cilët janë të suspenduar që nga viti 2022 dhe vazhdojnë të marrin kompensim pa asnjë vendim përfundimtar nga institucionet përgjegjëse.

Shumica e këtyre suspendimeve janë bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës, shpesh për shkak të hetimeve për vepra penale, ndërkohë që gjykatat nuk i trajtojnë rastet me ndonjë afat të përcaktuar. Kjo situatë e krijuar mes vakumit ligjor dhe mungesës së veprimit institucional ka rezultuar me pagesa të vazhdueshme, që rëndojnë buxhetin e Policisë dhe krijojnë pasoja në financimin e nevojave tjera operacionale.

Zyra Kombëtare e Auditimit thekson se ky problem ndodh për shkak të mungesës së sqarimit në udhëzim për rastet kur vendimi për të suspenduarit varet nga sistemi gjyqësor. Si pasojë, buxheti i Policisë po vazhdon të dëmtohet me pagesa të parregullta, ndërsa mungon çdo lloj përgjegjësie për këtë praktikë.

Auditori rekomandon që ministri Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë të ndërmarrin rishikim urgjent të Udhëzimit Administrativ për të qartësuar se çfarë ndodh kur gjykatat zvarrisin vendimet dhe cilat duhet të jenë hapat konkretë pas skadimit të afatit gjashtëmujor.

Policia me udhëheqës pa gradë, rritet numri i zyrtarëve që mbajnë pozita pa përmbushur kriteret

Në Policinë e Kosovës po bëhet praktikë që postet drejtuese të mbahen nga zyrtarë që nuk e kanë gradën e kërkuar. Raporti i ZKA zbulon se 341 zyrtarë policorë janë sistemuar në pozita që kërkojnë gradë më të lartë se ajo që ata zotërojnë,  një rritje drastike nga 185 sa ishin një vit më parë.

Kjo gjendje bie ndesh me strukturën organizative të Policisë së Kosovës, e cila përcakton qartë se çdo pozitë duhet të plotësohet nga zyrtarë që kanë gradën e nevojshme dhe kanë kaluar përmes procedurave të testimit e vlerësimit, siç parashihet në udhëzimet administrative përkatëse. Megjithatë, auditimi tregon se këto rregulla janë shpërfillur në mënyrë sistematike.

Në shkurt të vitit 2024 ishte shpallur konkurs për gradimin në nivelin e rreshterit një proces kyç për avancimin e stafit policor, por ai u anulua pas testimit, me rekomandim të IPK-së, për shkak të nevojës për harmonizim të akteve nënligjore me ligjet në fuqi. Si rrjedhojë, pozitat menaxheriale janë plotësuar me zyrtarë që nuk i përmbushin kriteret ligjore, shpesh për shkak të nevojave urgjente në veri të vendit apo krijimit të njësive të reja në kuadër të strukturës organizative.

ZKA paralajmëron se kjo situatë rrezikon cilësinë e shërbimeve dhe vendimmarrjes policore, pasi pozitat kyçe mund të ushtrohen nga persona me mungesë të kompetencës profesionale. Ndërkohë, harmonizimi i akteve të nevojshme për gradim pritet të ndodhë vetëm gjatë vitit 2025, duke shtyrë edhe më tej zgjidhjen e problemit.

Auditori rekomandon që ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë të përshpejtojnë harmonizimin e akteve nënligjore dhe të rifillojnë procesin e gradimeve, në mënyrë që të sigurohet se zyrtarët që mbajnë pozita drejtuese kanë përgatitjen dhe gradën e kërkuar me ligj.