Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sot do të intervistohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Gazeta Nacionale ka mësuar se ai do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit në lidhje me projektin e “Arkitektit të Kryeqytetit”.

I pari i Prishtinës, sipas burimeve të gazetës, pritet të paraqitet në prokurori rreth orës 13:00.

Dyshimet kryesore rreth projektit të “Arkitektit të Kryeqytetit” në Prishtinë ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën e lartë të kontratës prej 12 milionë eurosh, si dhe dyshimet për manipulim stafi dhe konflikt interesi.

Ky projekt, i iniciuar nga Komuna e Prishtinës nën udhëheqjen e Përparim Ramës, ka qenë në qendër të kritikave të opozitës dhe opinionit publik.

Intervistimi vije vetëm disa ditë pasi zyrtarë të VV-së kanë paralajmëruar një arrestimin të mundshëm të Ramës.

Ky paralajmërim fillimisht kishte ardhur nga deputeti i VV-së, Egzon Azemi.

“Përparim Rama… tik tak, tik tak…”, kishte shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Paralajmërimi kishte ardhur menjëherë pas ndryshimeve në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale.