Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj anëtares së Vetëvendosjes, Dejona Mihali, duke paralajmëruar padi për shpifje dhe duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për sulme të orkestruara ndaj kundërshtarëve politikë, mediave, gazetarëve dhe sistemit të drejtësisë. Përmes një sërë shkrimesh në llogarinë e saj në Facebook ditëve të fundit, Mihali e VV-së e ka sulmuar Ramën me akuza të rënda.
Në reagimin e tij, Rama e ka nisur deklaratën me një sërë pyetjesh retorike, duke e cilësuar të papranueshme mënyrën se si, sipas tij, Mihajli përfaqëson qëndrime publike në emër të Kosovës.
“A ka ofendim më të madh për këtë popull sesa të përfaqësohet nga çifti i Dejona Mihajlit? A ka fatkeqësi më të madhe sesa partnerit tonë më të madh strategjik, SHBA-së, t’i përgjigjet në emër të popullit të Kosovës, çifti i Dejona Mihajlit? A ka ofendim më të madh për këtë popull sesa për luftën e UÇK-së, të flas çifti i Dejona Mihajlit?”, ka shkruar Rama.
Ai ka bërë të ditur se po përgatit padi ndaj saj, duke thënë se bëhet fjalë për padi për shpifje.
“Per gjuhën e saj që e shpërfaq nivelin e saj jam duke përgatitur padi. Padi për shpifje. Është mësu ajo me u fsheh pas brigadave të Facebook-ut dhe mijëra profileve false, duke përçarë shqiptarët, duke i ofendu nënat tona, gratë, fëmijët, luftën, kontributin, atdheun dhe gjithçka që është e shenjtë”, shkroi ai. “Tash ka me u përballë me Prokurorinë, atë institucion që ende nuk keni arritë me e kapë!.”
Në vijim të reagimit, Rama ka thënë se nuk do të ndalet nga, siç i quan ai, kërcënimet dhe shantazhet.
“Ju rikujtoj se nëse mendoni se me kërcënime e shantazhe keni me m’ndalë, harrojeni!”, ka theksuar Rama.
Ai ka akuzuar Vetëvendosjen se po tenton ta heshtë çdo zë kritik dhe se, sipas tij, shoqëria po hyn në një fazë të rrezikshme politike.
“Po hyjmë në fazën më të rrezikshme si shoqëri: normalizimin e një mentaliteti totalitar, ku çdo zë kritik duhet të heshtet, të diskreditohet dhe, në fund, të burgoset”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.
Ai tha se Vetëvendosje, për vite me radhë, ka punuar për të zhvlerësuar luftën çlirimtare, heronjtë dhe familjet e dëshmorëve, duke e ndërlidhur këtë me rolin politik të kryeministrit Albin Kurti.
“Sepse për ta ky popull duhet të zhvishet nga çdo vlerë, që në fund në skenë të mbetet vetëm një emër, Albin Kurti”, thuhet në reagimin e tij.
Ai ka shprehur shqetësim edhe për gjyqësorin, duke e cilësuar atë si pengesën e fundit ndaj pushtetit absolut.
“Gjyqësori i lirë është pengesa e fundit mes qytetarit dhe pushtetit absolut, prandaj është institucioni që me ngulm po tentojnë ta nënshtrojnë”, ka shkruar Rama.
Në reagimin e tij, Rama ka folur edhe për mediat dhe gazetarët, duke thënë se sulmet ndaj tyre janë pjesë e një strategjie për ta kontrolluar narrativën publike.
“Me një strategji të orkestruar mirë, i janë vërsulur edhe medieve. Skandali në Komisionin e Pavarur të Medieve, nuk është rastësi, por pasqyrë e mendësisë dhe e nivelit të njerëzve që VV delegon në institucione. Synimi është i qartë. Të heshtet çdo zë kritik, derisa në fund të mbetet vetëm një e ‘vërtetë’, ajo që e thotë Albin Kurti.”
Sipas Ramës, sulmet ndaj gazetarëve dhe analistëve kanë për qëllim diskreditimin e tyre para publikut.
“Prandaj, ka nisur linçimi i gazetarëve. Prandaj tentohet diskreditimi i tyre, që të mos u besojë kur raportojnë skandalet e qeverisë dhe të partisë!”
Në fund të reagimit, Rama ka paralajmëruar se vendi po lëviz drejt autokracisë.
“Në cilin sistem ndodh kjo? Është koha e fundit që secili ta kuptojë se po ecim drejt AUTOKRACISË. Dhe kjo nuk duhet ti ndodh këtij shteti!”, ka përfunduar Rama.















