Pas katër orëve intervistimi nga Prokuroria Speciale lidhur me një rast të dyshuar për parregullsi në një kontratë për përpunimin e mbetjeve shtazore, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është kthyer me një status falënderues e emocional në rrjetet sociale, shkruan Demokracia.com.

“U jam mirënjohës për shqetësimin dhe solidaritetin,” shkroi Peci në rrjete sociale, duke theksuar se 133,987 qytetarë i kanë dhuruar “gjënë më të shenjtë – besimin”. Ai gjithashtu përmendi edhe rreth 30 mijë fermerë, që sipas tij, janë dëshmitarët më të vëmendshëm të punës së tij në çdo cep të Kosovës.

Ministri siguroi se çdo fjalë e shkruar apo e thënë prej tij është e qasshme për këdo që ka interesim, dhe përmbylli mesazhin me një notë hyjnore: “Kosova ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke, ka Zot!”

Peci u intervistua dje nga Prokuroria në cilësinë e të dyshuarit për një kontratë 20-vjeçare për dhënien me qira të një impianti për përpunimin e mbetjeve shtazore, marrëveshje që dyshohet se është realizuar pa procedura të rregullta ligjore. 

Statusi i Pecit:

Të dashur qytetarë, miq e familjarë;

U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin!

Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare.

Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim.

Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot.