Rreth 100 mijë qytetarë në shesh për ish-krerët e UÇK-së.

Prishtina sot nuk ishte thjesht një shesh. Ishte një mesazh, një qëndrim dhe një vendim. Në zemër të kryeqytetit, rreth 100 mijë qytetarë dhanë verdiktin e tyre për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri ditë para se atë ta japë Haga.

Para se drejtësia të flasë nga një sallë gjyqi në Hagë, foli Kosova. Kërkesa ishte e vetme dhe u përsërit nga mijëra zëra “Liri për çlirimtarët”.

Që nga viti 2020, ky ishte marshi i 10-të i organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Por sot, ndryshe nga herët e tjera, në ajër nuk ishte vetëm protesta. Ishte pritja.

Pritja për një verdikt që do të vijë pas gati gjashtë vitesh paraburgim, dëgjime, dëshmi dhe një procesi gjyqësor që në Kosovë është përcjellë me debate të ashpra mbi drejtësinë, politikën dhe mënyrën se si është trajtuar lufta e UÇK-së.

Sheshi i Prishtinës u mbush edhe njëherë me flamujt e UÇK-së.

Nga komunat e Kosovës, qytetarë të shumtë mbërritën në kryeqytet. Autobusë të shumtë sollën njerëz që donin të ishin aty pikërisht sot – në ditën kur Kosova, edhe një herë, vendosi të flasë publikisht për katër emrat që prej vitesh ndodhen në Hagë e që për vendin janë çlirimtarë.

Në mesin e turmës nuk ishin vetëm qytetarë.

Në shesh u panë edhe politikanë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Përtej dallimeve partiake, flamujve dhe pankartave, marshi mori pamjen e një momenti politik që tejkaloi kufijtë e një partie, një organizate apo një grupimi të vetëm.

Sepse për një pjesë të madhe të shoqërisë Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi nuk janë thjesht katër persona që po gjykohen në Hagë. Ata janë katër prej figurave që lidhen drejtpërdrejt me historinë e luftës së Kosovës dhe me rrugëtimin politik që pasoi.

Prandaj, përkrahja e sotme nuk ishte vetëm një kërkesë për një vendim gjyqësor. Ishte edhe një përpjekje për ta thënë publikisht se historia e Kosovës, sipas atyre që ishin në shesh, nuk mund të reduktohet në aktakuzat e një procesi gjyqësor.

Dhe këtu qëndron pesha e këtij marshimi.

Kosova nuk mund ta shkruajë verdiktin e Hagës, nuk mund ta ndikojë vendimin e gjykatës.

Por mund të tregojë se çfarë ndjen.

Mund të tregojë se cilat janë plagët e saj, cilat janë kujtimet e saj dhe cilat janë vijat e kuqe të një shoqërie që ende e sheh luftën për çlirim si themelin e shtetit të saj.

Sot, Prishtina e bëri pikërisht këtë. Nën flamujt e UÇK-së, me mijëra njerëz në shesh dhe me një thirrje që u përsërit vazhdimisht, kryeqyteti e dha mesazhin e tij para Hagës.

Liri për çlirimtarët.

Tash flet Haga.

Pas gjashtë vjetësh, verdikti do të jetë ai që do të vendosë fatin juridik të katër ish-krerëve të UÇK-së.

Çfarëdo që të jetë verdikti, marshi i sotëm tregoi qartë një gjë: për Kosovën, emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk janë thjesht emra. Ata mbeten të lidhur me një nga kapitujt më të dhimbshëm, më të lavdishëm dhe më vendimtarë të historisë sonë, me luftën për liri dhe me rrugën që çoi Kosovën drejt çlirimit.

Sot, mijëra zëra e kujtuan edhe njëherë se historia nuk harrohet lehtë dhe se sakrifica për lirinë e Kosovës mbetet e gjallë në kujtesën e saj.

Sot foli Kosova.

Të mërkurën, në orën 10:00, flet Haga.

Por, çfarëdo që të thotë verdikti, një gjë nuk mund të fshihet: zëri i një populli që e ka përjetuar luftën, e ka paguar çmimin e lirisë dhe nuk e harron historinë e vet.