Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të premten.
Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se dështimi i të enjtes mbrëma i deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ka shtyrë Kosovën në zgjedhje të reja.
“Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe që ata përfaqësues nuk zgjodhën interesin e popullit”, ka theksuar ajo.
Presidentja e ka quajtur papërgjegjësi që Kuvendi nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin e ri, derisa ka thënë se situatën e sollën njerëz “me qëllime të rrezikshme”.
“Askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”.














