Gjilani sot është tronditur nga një ngjarje e rëndë dhe tragjike.

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri brenda një kafeneje në rrugën “Ibrahim Rugova”, tre persona kanë humbur jetën.

Gazeta Insajderi mëson nga burimet e saj se edhe personi i tretë i përfshirë në këtë ngjarje, Abedin Hoxha, babai i Bujar Hoxhës, i cili është dhëndri i Selami Hasanit, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Insajderi gjithashtu mëson se Bujar Hoxha ishte i përfshirë në rastin e fajdeve, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është kritike dhe ai është dërguar për trajtim në QKUK. Më tej, Insajderi mëson se i gjithë thelbi i ngjarjes ka nisur pikërisht nga Bujar Hoxha.

Sipas informacioneve paraprake, viktimat e para të konfirmuara ishin babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani, të njohur në qytet si argjendarë.

I dyshuari për këtë vrasje të trefishtë është Mefail Shkodra, një person i njohur për autoritetet dhe i arrestuar më parë për përfshirje në fajde. Ai aktualisht është në arrati dhe është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Kujtojmë se Mefail Shkodra ka qenë më parë në shoqëri të figurave të larta politike si kryeministri në detyrë Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe Prindon Sadriu. Në qershor të vitit të kaluar, ai dhe i biri ishin arrestuar nën dyshimin për fajde, ku gjatë një operacioni policor u sekuestruan vetura luksoze, armë, para dhe dokumente të ndryshme.