Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen, në atë që do të jetë tentativa e 28-të, në përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit. Procesi që ka ngecur te zgjedhja e Kryeparlamentarit. Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për këtë pozitë Albulena Haxhiun, që nga partitë tjera po konsiderohet figurë përçarëse.
Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i saj. Në asnjërën nga votimet për të, Haxhiu s’ka marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur, i nevojiten 61.
Nga 15 prilli, kur ka filluar seanca konstituive, deri tash kanë dështuar 27 vazhdime të saj. Derisa sot është e 28’ta tentativë, deri tani nuk ka ndonjë sinjal për rrugëdalje nga ngërçi i krijuar tash e dy muaj.
Në seancën e mbajtur të enjten, VV ra në 50 vota, duke mos arritur të kalojë Komisionin për zgjedhjen e Kryetarit me votim të fshehtë. VV e ka përsëritur këtë strategji qe disa seanca, pavarësisht kundërshtimit nga partitë e tjera për ta ndryshuar formën e votimit në mes të procesit.
Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë. Kur është hedhur në votim përbërja e komisionit, ata s’kanë marrë pjesë fare në proces.
Në dështim të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari ka ndërprerë seancën.
“50 deputetë për, kundër një, abstenime s’ka. Ndërpritet seanca. Takohemi më 7 qershor, në orën 11:00”, tha Dehari.