Derisa Albulena Haxhiu po protesonte nëpër rrugët e Prishtinës si aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje, në emisionin e tij si gazetar, Dimal Basha po numëronte aktet e dhunës së partisë së Kurtit, nga ato fizike e deri te dhuna psiqike. Pas 15 vitesh kontribut në Vetëvendosje, Haxhiu nuk pa askund as përpjekjen më të vogël të Kurtit për t’i siguruar votat për të.
“Unë mendoj që kjo ka fillu për shkak të një kulture të keqe që është kriju brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo kulturë e keqe që është mbjell tash e sa kohë, duke filluar nga protestat në rrugë, por pastaj me përdorimin e dhunës në rrugë”, komentonte Basha, shkruan Demokracia.com.
Madje, sipas tij, “kjo dhunë kaloi nëpër institucione, siç e dimë të gjithë, pastaj kemi pasur dhunë ndaj njerëzve civilë në rrugë, kemi pasur dhunë ndaj policisë, dhunë ndaj vet institucioneve dhe gjithashtu kemi pasur dhunë edhe ndaj pushtetarëve, duke filluar nga ish-kryeministri Mustafa i cili është sulmuar në Kuvendin e Kosovës dhe gjithashtu e kemi pasur edhe dhunën ndaj ambasadores, mirëpo edhe një dhunë tjetër që nuk është folur shumë, ka qenë ajo dhuna psikologjike që është ushtru nëpër rrjete sociale”.
Shiko videon: https://www.facebook.com/reel/782147503066449
Basha, në një tjetër emision tallej edhe me vetë Albulena Haxhiun, duke i kërkuar se nëse rroga e deputetit i dukej e lartë, atëherë mund të mos e merrte dhe kësisoj të jepte shembull.
“Një nga kundërshtimet vinte nga deputetja Albulena Haxhiu. Ajo tekstualisht deklaroi se është e papranueshëm që një deputet me e pas rrogën shtatëfish të një rroge mesatare në Kosovë, dhe ajo gjithashtu ceki se e përkrah çfarëdo nisme për uljen e rrogës së deputetëve. Zonja Haxhiu nëse është e papranueshme, atëherë mos e prano, se nuk është që je duke e marrë rrogën me zor. Mënyra tjetër është që ti mundesh me e dhanë një pjesë të rrogës tënde që duket e shumtë për familjet e shumta që kanë nevojë për këto mjete, për shkak se ne e dimë se 18 për qind e popullsisë gati jeton në varfëri ekstreme”, thoshte Basha.
Shiko videon: https://www.facebook.com/reel/798255591403215
Nuk ka asnjë dyshim se Albulena Haxhiu është një nga figurat më polarizuese në politkën kosovare, e cila njihet për gjuhën e saj të ashpër dhe të mbushur vrerë për kundërshtarët politikë.
Madje, pas katër vitesh në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, ajo nuk do të mbahet mend për ndonjë arritje në këtë dikaster, por vetëm si një person që nga zyra qeveritare sulmonte vazhdimisht institucionet që sipas Kushtetutës janë të pavarura dhe politika duhet t’i mbajë duart larg, shkruan Demokracia.com.
Nata e 26 gushtit 2025, mund të ketë qenë më e gjata për ish-ministren e drejtësisë që për një moment u mendua se do të bëhej Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, por fati politik i saj u shkrua në mënyrën më të keqe të mundshme nga partia që i shërben besnikërisht nga fillimi.
Pas 15 vitesh kontribut në Vetëvendosje, Haxhiu nuk pa askund as përpjekjen më të vogël të Kurtit për të siguruar votat për të.
Për muaj të tërë emri i Albulena Haxhiut u përdor nga kryeministri në largim, Albin Kurti dhe Vetëvendosje, për të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi që në këtë mëyrë pamundësohej të kalohej në afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së Kosovës, për çfarë nuk ka votat e nevojshme, 61 të tilla.
Por, kur Vetëvendosje duhej të këmbëngulte që Haxhiu të bëhej përnjëmend Kryetare e Kuvendit, ajo nuk u propozua as tri herë që mundësonte Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Emri i saj u propozua vetëm një herë dhe Vetëvendosje kaloi tek kandidatët e tjerë.
Kurti nuk bëri asnjë përpjekje për të siguruar votat që aktivistja e moçme e Vetëvendosjes të bëhej kryeparlamentare. Ai s’bëri asnjë këmbëngulje kur duhej.
Brenda pak ditësh, Dimal Basha u propozua dy herë dhe qysh në herën e dytë arriti të bëhet Kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke çuditur të gjithë.
Për Albulena Haxhiun, një nga gratë më të zëshme dhe më të angazhuara në Lëvizjen Vetëvendosje, nata e fundit s’ishte thjesht një natë politike, ishte një zhgënjim i thellë personal dhe një akt nënçmimi partiak. Kjo dëshmohet edhe nga fotografitë e shkrepura pasi që Basha u zgjodh Kryetar i Kuvendit dhe mundësia “rrëshqiti” nga duart e Haxhiut.

Pas më shumë se 15 vitesh në ballë të betejave të VV-së, duke qenë e pranishme që nga rrugët e protestave e deri në sallat e Kuvendit, Haxhiu u anashkalua në mënyrë të papritur si kandidate për kryetare të Kuvendit, në favor të Dimal Bashës, një emër që dikur mbushte emisionin e tij duke mbajtur ligjërime kundër Vetëvendosjes si një parti e dëmshme për Kosovën.
Albulena Haxhiu, ish-ministre e Drejtësisë dhe një ndër figurat më të besuara të Albin Kurtit për vite me radhë, u zëvendësua pa ndonjë përpjekje nga Kurti për të siguruar mbështetjen për të.
Dimal Basha, i cili iu bashkua Vetëvendosjes shumë më vonë, mbetet një figurë kontradiktore, sidomos për faktin që, në të kaluarën e tij si gazetar dhe komentator, shpesh është pozicionuar kundër pikërisht ndaj atyre politikave që sot pretendon t’i përfaqësojë. Se si ndodhi kalimi i tij nga kritik i ashpër në përfitues të pozitave më të larta në hierarkinë shtetërore, ende nuk dihet.
Për muaj të tërë, Vetëvendosje dhe Kurti nuk bënë përpjekjen më të vogël për të siguruar mbështetjen e nevojshme për Albulena Haxhiun.
Vetëm 4 vota kërkoheshin që ajo të arrinte të bëhej kryetare e Kuvendit. Por, as për kaq pak, Kurti s’lëvizi. /Demokracia.com/















