Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktim të masës së paraburgimit ndaj Erd Marevcit, i dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Rasti ka të bëjë me incidentin e armatosur që ndodhi në shtator të vitit të kaluar në lagjen “Aktash” ku mbeti i vdekur një person. Për këtë rast, në paraburgim gjenden Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi nën dyshimin për vrasjen e Premtim Gashit më 1 shtator 2024 në “Aktash”. Si dhe Vesel Bunjaku, i dyshuar për manipulim me prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u mbajtur seanca dëgjimore para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë.

Sipas kërkesës për caktim të paraburgimit ndaj Marevcit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet më 1 shtator 2024 rreth orës 22:04 minuta në një kafene dhe jashtë saj, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe raporteve të përkeqësuara mes të pandehurve Korab Gashi dhe Salih Sekiraqa, përkatësisht familjes Gashi dhe Sekiraqa, me qëllim të qërimit të hesapeve mes tyre, Marevci së bashku me Korab Gashin, Valdrin Ademin, Dardan Marevcin, dhe tani tani të ndjerin Premtim Gashi, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar të maskuar dhe pajisur me armë, me qëllim që ta privojnë nga jeta Salih Sekiraqën, djalin e tij të mitur Sh.S., dhe Faton Abazin, futen në lokal.

Aty thuhet se me tu futur në lokal, Marevci së bashku me Korab Gashin dhe tani të ndjerin Premtim Gashi, pasi veprojnë me gjuajtje me breshëri të armëve të gjata drejt Salih Sekiraqës, djalit të tij Sh.S., dhe Faton Abazit, fillojnë të tërhiqen nga lokali ku edhe iu bashkohen Valdrin Ademi dhe persona të tjerë të panjohur që kanë vazhduar gjuajtjen me armën me të pandehurit Sekiraqa dhe Abazi. Thuhet se iu bashkua edhe Robert Llumnica dhe të tjerë, ku të pandehurve Sekiraqa, Abazi dhe Llumnica, iu shkaktojnë lëndime trupore.

Sipas Dosjes, menjëherë pas arritjes së Policisë në vendin e ngjarjes, u dërguan për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa të pandehurit e tjerë të panjohur- dy prej tyre përmes përdorimit të mjetit motorik me katër rrota, largohen në drejtim të pjesës së epërme të rrugës “Gazmend Zajmi” dhe të tjerë largohen nga pjesa anësore- e epërme e lokalit.

Për këto veprime, Marevci dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga nenin 173, paragrafi 1, pika 1.5 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, Marevci dyshohet edhe se më 10 qershor 2025 rreth orës 8:30 të mëngjesit në Prishtinë i është gjetur në posedim një revole të cilën e mbante pa autorizim.

Prandaj, Marevci po dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizim të armëve” nga nenin 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Prokuroria vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e kësaj mase, siç është: dyshimi i bazuar, rreziku se i pandehuri mund të largohet për t’iu shmangur përgjegjësisë penale. Aty thuhet se sipas kallëzimit penal, përveç këtij të pandehuri që ka tentuar të ikë, në vendin e ngjarjes ka ikur edhe Dardan Marevci. Po ashtu, thuhet se nëse i pandehuri lihet në liri, mund të ndikojë në hetimet penale që do të zhvillohen.

“Plotësohen kushte si në dispozitën e lartcekur, për faktin se duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale ku kemi një person të vrarë, lëndimet trupore të pësuara nga të gjithë të pandehurit, mënyra e kryerjes sẽ veprës penale ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale me përdorimin e armëve nga të gjithë të dyshuarit, numrin e gëzhojave të zbrazur në vendin e ngjarjes, karakteristikat personale dhe, sjellja e mëparshme e të pandehurit, pasi i njëjtit rezulton me raste të shumta penale të iniciuara për vepra të ndryshme penale, ambienti dhe kushtet nën të cilat është kryer vepra penale, dhe rrethana të tjera personale të të pandehurit tregojnë rrezikun se te i njëjti mund ta përsërisë veprën penale, apo të realizojë qëllimin që i ka mbetur në tentative, pra që t’i privojë nga jeta të pandehurit e tjerë, ose të kryejë vepër tjetër penale”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Po ashtu, thuhet se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, për shkakun se mes familjarëve të tyre janë evidentuar incidente për të cilat jnaë iniciuar procedura penale, duke pasur parasysh raportet ekzistuese mes tyre, duke e bërë të besueshme mundërinë që i pandehuri të përsërisë veprën për të cilën dyshohet.