Portali ka siguruar fotografinë e Jeton Stanovcit, njërit prej personave të arrestuar në operacionin antidrogë “Heshtja”, i cili, sipas informacioneve të burimeve të redaksisë, dyshohet se ka pasur rol drejtues në grupin që po hetohet për trafikim dhe shpërndarje të kokainës.

Stanovci, 42 vjeçar, është në mesin e personave të arrestuar gjatë operacionit të zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës.

Gjatë këtij aksioni janë raportuar sekuestrimi i rreth 1.6 kilogramëve kokainë, automjeteve luksoze, parave të gatshme dhe sendeve të tjera që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

Në mesin e automjeteve të sekuestruara janë raportuar Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe Volkswagen Tiguan.

Sipas informacioneve të raportuara për operacionin, vlera e përgjithshme e pasurisë së sekuestruar arrin në rreth 301 mijë euro.

Sinjali ka publikuar më herët edhe identitetet e personave të tjerë që, sipas burimeve të redaksisë, janë arrestuar në këtë rast, përfshirë Astrit Haraqinë, Albana Xhemajli-Ramadanin, Alban Malokun dhe Gëzim Fekën.

Ndërkohë, Baftije Feka është identifikuar nga burimet e Sinjalit si person i dyshuar që po kërkohet në kuadër të të njëjtit operacion.

Dyshimet për rolin drejtues të Stanovcit nuk përbëjnë konstatim gjyqësor, ndërsa përgjegjësia individuale e personave të përfshirë mbetet objekt i hetimeve.