Ne një aksion policor në Gjakovë ka zbuluar një rast të rëndë të narkotikëve, ku në pranga ka përfunduar 24-vjeçari Endrit Krasniqi.

Burimet tona bëjnë me dije se i riu është ndaluar mbrëmë rreth orës 20:15 nga Njësia e Trafikut në rrugën “Gasper Karaqi”, derisa po udhëtonte me motoçikletën Honda SZX50S. Gjatë kontrollit, tek ai janë gjetur nëntë qese me marihuanë me peshë rreth 12.82 gram.

Pas arrestimit, Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë zbuluar dhe sekuestruar: 258.46 gram marihuanë, 6.82 gram kokainë, 9,990 € para të gatshme, 10 franga zvicerane dhe 2000 lekë, 4 peshore digjitale, një thikë, një palë gërshërë dhe një lugë e vogël

Gjithashtu janë sekuestruar edhe motoçikleta, çelësat, certifikata e regjistrimit dhe një iPhone 11 me SIM-kartelë.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa rasti po trajtohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.