Gjykata Kushtetuese ka marr vendimin e fundit për deputetët e Kosovës, të cilët nuk po arrijnë në konstituimin e Kuvendit.
Deri më datën 8 gusht, të zgjedhurve të qytetarëve iu ndalohet çdo veprim i mëtejmë rreth Kuvendit. Ky ndalim është një masë e përkohshme kushtetuese për të mbrojtur rregullin kushtetues dhe integritetin institucional.
Vendimin e kësaj gjykate e ka komentuar edhe politologu dhe njohësi i ҫështjeve politike, Fahredin Majkovci. Ai thekson se sjellja e partive politike në muajt e fundit ka prodhuar paqartësi, zhgënjim dhe dëme politike e institucionale, të cilat në fund të ditës i përjetojnë qytetarët. Sipas tij, kur vakumi kushtetues bëhet i dukshëm, është pikërisht Gjykata Kushtetuese që ka rolin thelbësor për të dhënë interpretime që mbushin boshllëqet dhe rivendosin balancën e nevojshme.
“Në rrjedhojë, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese mund të konsiderohet si një prej zgjidhjeve më të arsyeshme dhe të menduara për të dalë nga një situatë e paprecedentë në jetën politike të vendit. Për më tepër, vendimi parafundit, që përcaktoi afatin 30-ditor, ishte një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një rendi institucional. Ndërkaq, vendimi i fundit, edhe pse në pamje të parë prodhon një “pauzë”, në thelb mund të lexohet si një hap i qëlluar”, thotë ai.
Sipas Majkovcit, gjykata ka ofruar këtë hapësirë për të marr një vendim të matur.
“Në këtë aspekt, Gjykata duket se ka marrë parasysh edhe gjendjen faktike të sistemit politik, duke ofruar hapësirë për një vendimmarrje të matur dhe, nëse është e nevojshme, për një interpretim të mëtejshëm që do ta kristalizonte rrugën e duhur për të dalë nga ky ngërç”, thotë ai.
Politologu e sheh këtë vendim të Kushteuteses edhe si përpjekje për të mbrojtur qytetarët nga seancat e përsëritura.
“Për fund, ky vendim mund të interpretohet edhe si përpjekje për të mbrojtur qytetarët nga seanca politike të përsëritura e pa rezultat, të cilat vetëm sa rrisin frustrimin publik dhe minojnë besimin ndaj institucioneve”, vlerëson ai.















