Kryeministri në largim, Albin Kurti, i shoqëruar nga një delegacion qeveritar, ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) me rastin e festës së Kurban Bajramit, shkruan Gazeta Sinjali.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, Besnik Bislimi, Faton Peci, Hajrulla Çeku dhe një këshilltar i Kurtit. Gjatë bisedës në praninë e mediave, Myftiu Naim Tërnava ka shprehur shqetësimin për rënien e natalitetit në Kosovë, duke i bërë një thirrje simbolike deputetëve të Kuvendit:

“Desha t’i ftoj të gjithë deputetët e parlamentit ta prejmë nga një kurban. Ndoshta po ju shkon mbarë e mirë. Ndoshta hapen rrugët. Temë e kam pasur natalitetin dhe kam kërkuar që kush i ka nga 4-5 fëmijë, t’i bëhet një banesë, se po zbehet Kosova,” tha Tërnava.

Kryeministri Kurti reagoi me një koment ironik, duke thënë: “Deputetëve rrogat po ju ecin…” Një nga përfaqësuesit e BIK-ut iu përgjigj me shaka: “Najfarë mësyshi e keni…”

Në një moment tjetër të takimit, Tërnava iu drejtua zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me pyetjen: “Ty si po të shkojnë bisedimet atje?”, duke aluduar për procesin negociator me Serbinë. Bislimi u përgjigj me humor: “E kemi gjetë nifar mesi…”, ndërsa pjesa tjetër e deklaratës nuk u dëgjua.

Kryeministri Kurti foli edhe për zhvillimet teknologjike, duke theksuar se teknologjia nuk duhet të zëvendësojë trurin e njeriut. Ai gjithashtu përmendi vizitën e zëvendëskryeministres Rexhepi në Katar, me ç’rast Myftiu e pyeti: “Si kalove, a e patë çka kanë bo ata?”, duke aluduar në zhvillimin e këtij vendi të Gjirit.