Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë të ditur se e ka përfunduar raportin e autopsisë për dizajnerin e njohur kosovar, Festim Isufi.
Ditor Haliti nga IML-ja tha se nesër raportin në fjalë do ta dërgojnë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
“Raporti ka përfunduar dhe do të dorëzohet nesër ose pasnesër”, ka thënë Haliti.
Isufi ka vdekur në Rrugën B më 9 maj, rastin për Klankosova.tv e kishte konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Në përgjigjen e saj ishte thënë se edhe një grua ka marrë lëndime nga thika, dhe ishte trajtuar .
“Rreth orës 15:00 është raportuar për dy persona të lënduar në një ndërtesë në rrugën “B” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit”.
“Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull, 34 vjeç, ndërsa e lënduara femër, 30 vjeçare është dërguar për tretman mjekësor. Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë. Hetuesit policor po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, tha Ahmeti.