Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca tha se ka “konsensus automatik” në shoqëri që presidenti të vijë nga familja Jashari.

Në një prononcim për gazetarët pas takimit me kryediplomaten e Shqipërisë, Elisa Spiropali, Konjufca tha se anëtarë të familjes Jashari janë emrat e vetëm që kanë shkaktuar “pritje pozitive”.

“Deri tash të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një president nga radhët e familjes Jashari”, tha ai.

Ai tha se s’mund të flasë kur u pyet nëse ka pasur vullnet nga familja Jashari për këtë.

“Nuk mund të flas për këtë gjë. Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen”, tha Konjufca.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se të dielën në mbrëmje ishte në Prekaz të Skënderajt për t’u takuar me Rifat Jasharin, vëllain e komandantit simbol të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit.