Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është arritur marrëveshje me Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” dhe se greva e punëtorëve të kësaj ndërmarrje është ndërprerë.
Ndërmarrja Rajonale e Pastrimit “Pastrimi” ka bërë të ditur se ka marrë një zotim nga Komuna e Prishtinës për pagesën e borxheve që i detyrohet për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet.
Në njoftimin e ndërmarrjes thuhet se kjo pagesë lidhet me një obligim financiar të konfirmuar me vendim gjyqësor, ku është njohur vlefshmëria e kontratës dhe e shërbimeve të kryera nga “Pastrimi” për më shumë se katër muaj pa ndërprerje.
“Ky obligim financiar është i konfirmuar me vendim gjykate, e cila njeh vlefshmërinë e kontratës dhe punës së kryer nga ‘Pastrimi’”, thuhet në reagim.
KRM “Pastrimi” ka rikujtuar se pagesa e mbeturinave duhet të bëhet drejtpërdrejt tek kjo ndërmarrje, sipas rregullores së Kuvendit Komunal, vendim i cili është i validuar edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës.