Detaje të rënda kanë dalë nga gjetjet e auditorit të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), të cilat, sipas burimeve të besueshme, të afërta me hetimin, kanë shërbyer si bazë kyçe për ndërhyrjen e organeve të drejtësisë dhe arrestimin e ish-menaxhmentit, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në skemën e dyshuar të keqpërdorimeve financiare.
Sipas këtyre gjetjeve, auditori ka konstatuar parregullsi serioze, të përsëritura dhe sistematike në trajtimin dhe pagesën e dëmeve për një periudhë disavjeçare, duke evidentuar shkelje të rënda procedurale dhe financiare, përfshirë:
-Pagesa në vlerë mbi 1 milion euro pa dosje dëmi, pa dokumentacion bazë dhe pa evidencë zyrtare në sistemin e BKS-së;
-Kompensime të dyfishta për të njëjtat aksidente, si në nivel vendor ashtu edhe përmes mekanizmave të regresit ndërkombëtar;
-Dëme të paguara pa raport policor, pa vendime të komisioneve përkatëse dhe pa ekspertizë profesionale;
-Marrëveshje jashtëgjyqësore të dyshimta, të lidhura pa bazë ligjore dhe në kundërshtim të hapur me procedurat e brendshme;
-Vlerësime të fryra të dëmeve materiale dhe jomateriale, përfshirë pagesa për invaliditet dhe dhimbje shpirtërore pa dokumentacion mjekësor valid;
-Inspektime fiktive të automjeteve, ku në shumë raste dëmet janë konstatuar vetëm përmes fotografive ose dokumenteve jozyrtare;
-Mungesë të plotë të kontrollit të brendshëm, që ka lejuar manipulime, tejkalim kompetencash dhe vendimmarrje arbitrare nga persona përgjegjës.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se këto gjetje janë cilësuar si rrezik i lartë financiar dhe penal, duke ngritur dyshime të bazuara për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe dëmtim të buxhetit të BKS-së.
Hetimet janë në zhvillim e sipër, ndërsa nuk përjashtohet zgjerimi i listës së të dyshuarve, pasi po analizohen edhe raste të tjera me elemente të njëjta keqpërdorimi.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë të raportojë ekskluzivisht për këtë aferë, me dokumente, fakte dhe detaje të reja nga hetimi.














