Shtetet e Bashkuara të Amerikës në orët e para të së dielës kanë sulmuar tri centrale bërthamore në Iran.

Sulmet janë kryer në tri lokacione bërthamore në Iran – Fordo, Natanz dhe Isfahan, pas të cilave presidenti amerikan, Donald Trump tha se Irani “tani duhet të bëjë paqe” ose të përballet me sulme “shumë më të mëdha”.

Irani konfirmoi zyrtarisht se këto tri lokacione bërthamore janë sulmuar dhe vetëm pak pas kësaj Izraeli tha se Irani ka nisur sulm të ri, por ushtria izraelite u shpreh pastaj se forcat e saj ajrore kanë filluar një valë të re sulmesh kundër “objektivave ushtarake” në Iranin perëndimor, transmeton Klankosova.tv.

Ndër të parët ishte Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi i cili dënoi sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj këtyre objekteve bërthamore, duke paralajmëruar se ato do të kenë “pasoja të përjetshme”.

“Ngjarjet janë të skandalshme dhe do të kenë pasoja të përjetshme”, kishte shkruar ai, duke shtuar se Irani “rezervon të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesin dhe popullin e tij”.

Ndërkaq, udhëheqësit izraelitë kanë falënderuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump pas këtyre sulmeve, duke e përshkruar atë si vendimtar dhe historik.

Presidenti izraelit, Isaac Herzog përmes një postimi në X ka thënë se këto sulme janë një “moment vendimtar”.

Reagim pati edhe kryeministri izraelitë, Benjamin Netanyahu i cili tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte i guximshëm.

“Unë dhe Presidenti Trump shpesh themi: Paqe përmes forcës. Së pari vjen forca, pastaj vjen paqja. Sonte Presidenti Trump dhe Shtetet e Bashkuara vepruan me shumë forcë”, u shpreh dje Netanyahu.

Ndërkaq, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz u shpreh se këto sulme e kanë bërë aleancën ShBA-Izrael më të fortë.

“Aleanca midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit tani është më e fortë se kurrë – për hir të paqes dhe sigurisë për të dy kombet dhe për të gjithë botën e lirë”,ishte shprehur Katz.

E një deklaratë e fuqishme për presidentin Trump u bë nga ministri i jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar i cili ka reaguar pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit.

Ai tha se Trumpi e ka shkruar emrin e tij me shkronja të arta në librat e historisë, transmeton Klankosova.tv.

Mirëpo, vet presidenti i ShBA-së, Donald Trump paralajmëroi se Irani “duhet të bëjë paqe tani” – ose të përballet me më shumë sulme.

Por nuk ishte shumë e qartë se çfarë saktësisht nënkuptonte ai me “bëj paqe”, ose çfarë hapash do të duhet të ndërmarrë Irani për të përmbushur këtë kërkesë.tv.

Trump nuk dha detaje mbi deklaratën e tij, megjithëse paralajmëroi më pas se çdo hakmarrje iraniane do të përballej me forcë.

E një hakmarrje e tillë u tentua të bëhej sonte, ku shpërthime të fuqishme u dëgjuan mbi kryeqytetin e Katarit, Doha, ku u raportua Irani kishte nisur një sulm me raketa ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, autoritetet e Katarit kanë mbyllur hapësirën ajrore si masë sigurie, derisa Ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar në Doha u bënë thirrje qytetarëve të tyre që të qëndrojnë të strehuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Por, pas këtij sulmi reagoi Ministria e Mbrojtjes së Katarit, duke thënë mbrojtja e saj ajrore ka kapur me sukses një sulm me raketa që synonte Bazën Ajrore Al-Udeid në Katar.

Ndërkaq, Ministria e Jashtme atje bëri të ditur se kanë ndërprerë me sukses sulmin ajror iranin drejt bazave amerikane.

Në njoftimet e tyre u tha se nuk është raportuar për të vdekur e as për të lënduar, madje në lidhje me këtë u deklarua edhe Pentagoni, duke thënë se nuk kishte raportime për viktima amerikane nga sulmi.

Më pas erdhi edhe një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Katarit, ku thuhej se situata e sigurisë në vend mbetet e qëndrueshme dhe nuk ka arsye për shqetësim.

Kjo ministri gjithashtu është shprehur se do të koordinohet me autoritetet e tjera të Katarit për “sigurinë e qytetarëve dhe banorëve dhe për të ruajtur normalitetin e jetës publike”.

E udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei ka thënë se Irani nuk e ka dëmtuar askënd.

Ai përmes një postimi në X është shprehur se Irani nuk do të pranojë agresion “nga askush në asnjë rrethanë”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ali Khamenei gjithashtu tha se Irani nuk do t’i nënshtrohet agresionit të askujt dhe se sipas tij, kjo është “logjika” e kombit iranian.

Derisa përfundimisht mbi zhvillimet, nxori një reagim vet presidenti amerikan, Donald Trump, i cili u shpreh se Irani dha sonte kundërsulm të dobët.

Sipas tij, atje u lëshuan 14 raketa, 13 prej të cilave u rrëzuan derisa një u lirua pasi po shkonte në cak jokërcënues derisa bëri thirrje për paqe, transmeton klankosova.tv.

“Jam i kënaqur të raportoj se ASNJË amerikan nuk është lënduar dhe pothuajse nuk është shkaktuar ndonjë dëm. Më e rëndësishmja, ata e kanë nxjerrë gjithçka nga “sistemi” i tyre dhe, shpresojmë, nuk do të ketë më URREJTJE. Dua të falënderoj Iranin që na dha njoftim të hershëm, gjë që bëri të mundur që të mos humbiste asnjë jetë dhe askush të mos lëndohej. Ndoshta Irani tani mund të vazhdojë drejt Paqes dhe Harmonisë në Rajon dhe unë do ta inkurajoj me entuziazëm Izraelin të bëjë të njëjtën gjë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”.