Një aksion anti-drogë i Policisë në Prizren ka çuar në arrestimin e një personi dhe sekuestrimin e narkotikëve, parave dhe pajisjeve që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen e drogës për shitje, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Rasti ka ndodhur mbrëmjen e 5 majit 2026 rreth orës 23:05, në rrugën “Aziz Kelmendi” në lagjen “Arbana”, ku njësia e antidrogës në Prizren, në kuadër të planit operativ “Stop Drogave”, ka vërejtur një veturë Opel Astra të ndaluar në rrugë.
Brenda veturës ndodhej i dyshuari Rilind Krasniqi, rreth 27-vjeçar, të cilit gjatë kontrollit iu janë gjetur tri doza të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë, ndërsa në veturë është gjetur edhe një dozë e dyshuar kokainë.
Pas këtij zhvillimi, hetuesit e antidrogës, në asistim të njësive relevante dhe forenzikës, kanë kryer bastisje edhe në shtëpinë e të dyshuarit në të njëjtën lagje.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:
mbi 32 gram marihuanë,
substancë e dyshuar kokainë,
dy peshore elektronike,
aparat për vakumimin e qeseve,
foli alumini,
qese plastike,
70 euro para të gatshme,
si dhe një telefon mobil.
Pas përfundimit të bastisjes, i dyshuari është shoqëruar në zyrat e antidrogës në Prizren dhe është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.















