Ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës së UÇK-së, Andin Hoti, i cili pritet është propozuar kandidat për president nga VV-ja, ka filluar lobimin për vota.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ai tashmë ka kontaktuar disa deputetë të PDK-së dhe LDK-së.
Nacionale ka kontaktuar disa nga deputetët që ka mësuar se kanë biseduar me Hotin.
Në një prononcim për gaztën Nacionale, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, nuk ka treguar nëse është kontaktuar nga kandidati për president.
Megjithatë, ai ka treguar qëndrimin e tij rreth kësaj çështje.
Ai ka thënë se nëse grupit i PDK-së rrinë në sallë, ai do ta votojë Hotin.
“Nuk di kurrgjë. Nëse grupi i PDK-së rrinë në sallë unë e votoj, nëse nuk rrinë ata, nuk rri as unë”, ka thënë Hasani.
Hasani nuk është deputeti i vetëm i PDK-së që është kontaktuar nga Hoti.
Ky i fundit, mëson gazeta, ka kontaktuar edhe disa deputetë të LDK-së.
Hoti, i cili sot po e kërkon votën e PDK-së dhe LDK-së, para disa dite i kishte “kërcënuar” me zgjedhje këto dy parti.
Në një intervistë për emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ai kishte thënë se PDK-ja dhe LDK-ja t`i thërrasin mendjes,
Sipas tij, zgjedhjet e reja do të prodhonin një rezultat më të favorshëm për VV-në.
“Besoj se duhet të ketë një thirrje mendjes të spektrit politik që të tejkalojnë këtë problem të panevojshëm. Janë dy subjekte politike të mëdha që kanë ndikim në këtë pikë që duhet t’i thirrin mendjes. Nuk besoj që ua fal populli nëse shkojmë në zgjedhje edhe një herë”, kishte thënë Hoti
Sipas tij, zgjedhjet e reja do të prodhonin një rezultat tejet të favorshëm për VV-në.
“Unë nuk besoj që guxon me mendua që duhet këtë popull edhe një herë me lodh dhe me dërgua për herë të pesë në zgjedhje, brenda një viti. Nuk guxojmë të mendojmë që të shkojmë në zgjedhje, sepse zgjedhjet prodhojnë një rezultat edhe më të mirë për Vetëvendosjen, por ndoshta jo të mjaftueshëm për me zgjedh presidentin vet”, ishte shprehur ai. Andin Hoti është emri i radhës që po diskutohet për pozitën e presidentit.
Gazeta Nacionale ka mësuar se lideri i VV-së, Albin Kurti, mbrëmë e ka diskutuar kandidaturën e Andin Hotit për president.
Një gjë e tillë ka ndodhur pasi Glauk Konjufca ka refuzuar që të jetë kandidat për president.















