Besim Mulaj dhe Shkëmb Manaj, figura të angazhuara dhe ende të konsideruara si shpresa të Lidhjes Demokratike të Kosovës – LDK në degën e Istogut, garuan për deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Megjithëse nuk arritën të siguronin ulëse në Kuvend, aktiviteti i tyre politik nuk u ndal. Manaj u emërua nënkryetar i Komunës së Prishtinës, ndërsa tani edhe Mulaj është futur në komunën e udhëhequr nga bashkëpartiaku i tij, jo përmes ndonjë pozite politike, por si përfitues kontrate publike, shkruan Demokracia.com.
Zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka shpallur fituesin e tenderit për “Ndërtimin dhe Renovimin e Qendrave të Ndryshme Sociale në Lagjet Kodra e Trimave, Tophane, Qafa, Aktashi, Pejtoni, Ulpiana”. Fitues ka dalë konsorciumi me kompaninë lider “Art-Eda” sh.p.k. dhe “H&S Partners Group” sh.p.k., me një vlerë prej 19,667,73 euro, të caktuar në bazë të pikëve të përfituara me Poentim. Kontrata është planifikuar të zgjasë 12 muaj dhe u realizua me procedurë të hapur.

Siç tregohet edhe në titullin e kontratës, puna kryhet për renovimin e 6 qendrave për punë sociale, duke mos përfshirë ndermin. Megjithatë, në dokumentacionin e publikuar në E-prokurim, është e qartë se bëhet fjalë për renovim. Çmimi i parashikuar për këtë tender është 100 mijë euro dhe kompania fituese ka paraqitur një ofertë rreth 20 mijë euro, të përfituar në bazë të pikëve.

Pra, në këtë tender është përdorur procedura me ‘poentim të çmimit’. Një nga format më problematike është përdorimi i kësaj procedure, ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendosë sasinë 1 për secilin artikull. Pastaj përmes poentimit të çmimit është vendosur për fituesin e kontratës dhe artikulli porositet sipas nevojës. Në këtë rast kontrata ndalet kur të arrihet porosia në vlerë prej 100 mijë eurove.
Fituesi i kontratës, rekomanduar nga grupi i kompanive lider, “Art-Eda” sh.p.k. ka për pronarë Besim Mulaj me 100 për qind të aksioneve. Ai ka qenë kandidat për deputet me LDK në zgjedhjet kombëtare, por nuk ka arritur të fitojë. Ai vjen nga Istogu, si dhe nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për të qenë deputet.

Grupi i kompanive “Smart Eng Group” sh.p.k., “Bajram HA, Gashi BI”, “Toni O.P” ofruan një çmim më të ulët prej 10,405.25 euro, por nuk janë shpallur të përgjegjshëm për disa kërkesa.
Demokracia.com ka kërkuar përgjigje nga Besim Mulaj lidhur me kontratën e fituar në komunën e bashkëpartiakut të tij, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Një kërkesë për qasje në dokumente zyrtare është dërguar në Komunën e Prishtinës për të verifikuar ofertën e kompanive të rekomanduara për kontratën.
Në deklaratën e tij të pasurisë, ai tregon se është pronar i 100% të aksioneve në kompaninë Art-Eda Sh.p.k.


















