Prokuroria e Tiranës ka çuar për gjykim dosjen ndaj imamit të njohur Ahmet Kalaja, i cili akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim. Kjo vepër parashikon dënim me gjobë ose deri në tre vite burg, shkruan Gazeta Sinjali.
Kalaja, që drejton xhaminë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës, dyshohet se ka penguar hetimet e një operacioni të drejtorisë së antiterrorit në vitin 2022, duke mos dorëzuar pamjet e kamerave të sigurisë të xhamisë. Sipas hetuesve, këto pamje mund të ndihmonin në zbardhjen e aktivitetit të disa personave që shpërndanin materiale me përmbajtje nxitëse ndaj urrejtjes dhe përçarjes fetare.
I kontaktuar nga Euronews Albania, Kalaja i mohoi akuzat, duke e cilësuar çështjen si një “keqkuptim” dhe theksoi se ka bashkëpunuar me autoritetet në çdo fazë të hetimeve.