Këshilli i Bashkimit Evropian ka marrë vendim për t’ia zgjatur mandatin Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
Kjo u bë e ditur në një vendim të publikuar të enjten.
Aty thuhet se vendimi i miratuar më 2023 për vazhdim të mandatit të EULEX-it deri më 2025 ndryshohet, për të theksuar se mandati i këtij misioni vijon deri më 14 qershor, 2027.
“Më 5 qershor 2023, Këshilli miratoi Vendimin (CFSP) 2023/1095 (2), duke ndryshuar Veprimin e Përbashkët 2008/124/CFSP dhe duke zgjatur Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX KOSOVO) deri më 14 qershor 2025. Në kontekstin e rishikimit strategjik të EULEX-it, Komiteti Politik dhe i Sigurisë ra dakord që Misioni të zgjatet deri më 14 qershor 2027”, u tha në këtë vendim, raporton Klankosova.tv.
Këtë vendim e paralajmëroi kohë më parë Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, gjatë vizitës që bëri me 23 maj në bazën e EULEX-it në Mitrovicë.
Ajo çmoi shumë punën që bëjnë pjesëtarët e kësaj trupe të Unionit.
Sipas saj, një Kosovë e sigurt dhe përparimtare, është qenësore për sigurinë e gjerë në Evropë.
Udhëheqësi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli pati thënë për Klan Kosovën se te vendimi për zgjatjen e mandatit të EULEX-it, që është reaguesi i dytë në çështjet që lidhen me sigurinë në vend, ka edhe politikë.
Sa do t’i kushtojë BE-së ky 2-vjeçar i EULEX-it?
Për stafin e këtij misioni, por edhe për punën e tij që e bën me Gjykatën Speciale në Hagë, BE-ja ka ndarë një buxhet prej mbi 170 milionë euro.
“Shuma financiare referente e parashikuar për të mbuluar shpenzimet e misionit të EULEX-it në Kosovë nga data 15 qershor 2025 deri më 14 qershor 2027 është 170 866 980 euro. Nga kjo shumë, 64 492 980 euro janë të destinuara për mbulimin e shpenzimeve të EULEX-it në zbatimin e mandatit të tij në Kosovë, ndërsa 106 374 000 euro janë të destinuara për mbështetjen e procedurave gjyqësore të zhvendosura brenda një Shteti Anëtar”, u tha në vendimin e Këshillit të BE-së.
EULEX, që nisi punën në Kosovë më 2008, tani zbaton mandatin e tij përmes Shtyllës për Monitorim dhe Shtyllës Mbështetëse për Operacione.
Ky mision, mes tjerash e ndihmon edhe Gjykatën Speciale në Hagë, me mbështetje logjistike dhe operacionale në pajtueshmëri me legjislacionin përkatës të Kosovës.
Aktualisht, shef i EULEX-it është gjeneral majori i karabinierëve italianë, Giovanni Pietro Barbano.