Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu e ka bërë të qartë se deklaratat kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikurse ajo e deputetit Fatos Geci, nuk do të lejohen asnjëherë në parlament.

Ajo tha sot në një fjalim në nisjen e seancës plenare të Kuvendit se deklarata e deputetit Geci për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, ishte e “papranueshme, përçarëse dhe e rëndë”.

“Ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe uroj që vendimi i Gjykatës do ta korrigjojë padrejtësinë e madhe të Prokurorisë së Specializuar. Si kryetare e Kuvendit, e dënoj pa asnjë mëdyshje këtë gjuhë dhe e bëj të qartë se nuk do të lejojë që foltorja e Kuvendit të përdoret për sulme të tilla”, tha Haxhiu.

Sipas Haxhiut, do të lejojë “asesi me qëndrime që e cenojnë luftën tonë çlirimtare dhe ata që i dolën Zot këtij vendi në kohërat më të vështira për popullin tonë”.

“Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë për liri, ishte e pastër dhe e shenjtë. Çdo tentim për ta zbehur apo për ta njollosur atë është i papranueshëm, nga kushdo që bëhet dhe kudo që bëhet”, u shpreh ajo.