Janë suspenduar sot tre zyrtarë policorë në Skenderaj për 72 orë.
Në lidhje me këtë vendim ka njoftuar Policia e Kosovës të cilët kanë thënë se ky suspendim ka ardhur pas Prishjes së Rendit dhe Qetësisë Publike sot në Skenderaj.
“Sot, me datë 10.06.2025, në ndërlidhje me rastin e Prishjes së Rendit dhe Qetësisë Publike (PRQP) në Skenderaj, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug, ka ndërmarrë disa veprime dhe në koordinim edhe me Inspektoratin Policor të Kosovës ( IPK) ka marrë vendimin për suspendimin e tre (3) zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Skenderaj në kohëzgjatje prej 72 orësh”, ka njoftuar Policia.
Nga Policia kanë thënë se hetimet e mëtejme ndaj zyrtarëve policorë për shkelje të mundshme do të zhvillohen nga institucionet përkatëse kompetente.
Ky suspendim ka ardhur pasi sot në Skenderaj, kur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti kishte shkuar ta përuronte një çerdhe, eskorta e tij ishte gjuajtur me vezë.
Sipas informacioneve të para, gjatë lëvizjes së eskortës së Kurtit, automjetet e saj janë qëlluar me vezë nga persona ende të paidentifikuar.
Kjo tashmë është konfirmuar edhe nga dega e LVV-së në Skenderaj dhe po ashtu janë publikuar pamje, ndërsa akoma s’dihet kush qëndron prapa këtij veprimi.
Për këtë ka reaguar asamblisti i LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani.
Ai ka shkruar se pas sulmeve me vezë është Sami Lushtaku.
“Lajmi i sotëm është përurimi i çerdhes në Skenderaj dhe punët e mira që po bën qeveria. 3.2 milionë të investuara nga Qeveria e Kosovës në Skenderaj vetëm gjatë këtij mandati. Sulmet e Sami Lushtakut me vezë janë dëshmi që ju ka lagë baruti, po ashtu dëshmi e mendësisë primitive që udhëheq me PDK në Skanderaj e fatkeqësisht krejt PDK-në. Mediet që po më shkruajnë i inkurajoj të merren me punët e mira të Qeverisë dhe të mos merren me ata që po duan gjithsesi të prodhojnë lajme të këqija për Skenderajn”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka pohuar se “ata që kanë gjuajtur me kallash kur fituan kur një pasardhësi të Jasharajve, nuk na bëjnë përshtypje kur gjuajnë me vezë”.
“Barutin e kanë lagur. Ide për zhvillimin e qytetit nuk kanë. Pronat për të vjedhur ju kanë harxhuar, po duan të fitojnë vëmendje me skandale”, theksoi mes tjerash ai.
Në lidhje me rastin nuk është deklaruar as kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe askush tjetër nga Qeveria.