Shkumbin Kajtazi, kryeredaktor i “Jepi Zë”, i ftuar në televizonin T7 ka parashikuar si të mundshme dy skenarë për krijimin e qeverisë.

Ai ka thënë se Kurti, bashkë me minoritetet duke përfshirë edhe Nenad Rashiqin dhe “peshkim” të deputetëve në opozitë, siç është rasti i Nuredin Lushtakut në AAK-Nisma nëse bëhet deputet, përmes Bekim Jasharit mund të krijojë qeverinë.

Ndërsa, këtë të mirë Jasharit, ai do ia kthejë duke e propozuar për president, për t’i vënë presion opozitës për votim.

Skenari tjetër, sipas Kajtazit, është bashkimi i opozitës duke ia lënë kryeparlamentarin partisë fituese, siç edhe i takon, ndërsa, kur të vijë çështja e presidentit, të gjejë një emër konsensual, ndoshta edhe jashtë politikës.

Dhe, në rast se puna e qeverisë me kryeministër Bedri Hamza vazhdon me rritje të pagave, pensioneve dhe punë e mirë qeveritare, mund të amortizohet rritja e Albinit.