Endrit Nika i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase, Maria Clara Urdangaray, është dënuar me 18 vjet dënim me burg.

Nika ngarkohet se nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë e kishte gjuajtur të dashurën e tij argjentinase, sipas dosjes e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur tanimë të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ajo kishte ndërruar jetë në QKUK.

Prezent në shpallje të aktgjykimit janë Prokurori, Armend Hamiti, avokati i të akuzuarit Endrit Nika, Drilon Imeri dhe familjarët e argjentinases si dhe familjarët e të akuzuarit.

Nika më 28.05.2025 nuk i kishte pranuar akuzat e Prokurorisë rreth kësaj vepre penale.

“Jam 100% i pafajshëm” – kishte thënë i akuzuari Endrit Nika.

Kujtojmë se i akuzuari Nika kishte dhënë versionin e tij lidhur me pretendimet e Prokurorisë në seancat e datës 22.01.2026  dhe  03.02.2026.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues në përbërje nga Gazmend Bahtiri, kryetar i trupit gjykues, Gzim Ademi dhe Alltëne Murseli – anëtarë.

KALLXO.com më 15.02.2026 ka publikuar një hulumtim në lidhje me rastin e vrasjes së argjentinases

Në këtë hulumtim flitet për aferën e 50 mijë eurove në dosjen e aktakuzës për vrasjen në Fushë-Kosovë.

Në pamje dhe audio-incizime flitet për pazare për lirimin nga aktakuza të të akuzuarit Endrit Nika. Në hulumtim u shpërfaqën provat që dëshmojnë se një i zyrtar Policisë qarkulloi paratë e familjes të të dyshuarit tek avokatët.