Drejtoria kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale, ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një aksion policor, që rezultoi me arrestimin e dy personave të dyshuar për nxitje të përçarjes dhe shpërndarje të propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste.

Dy të dyshuarit që ishin cak i shtetit, siç mëson Klankosova.tv. janë Alban Bibaj dhe Muhamet Musliu.

Musliu, sipas të njëjtave burime, ka pasur të afërm në Siri, të cilët dyshohet se janë vrarë atje.

Një gjë e tillë pritet të konfirmohet posa të zbulohen detaje nga dosja e Prokurorisë.

Të arrestuarit, dyshohen se kanë përdorur rrjetet sociale, për shpërndarjen e propagandës dhe nxitjen e përçarjes dhe mosdurimit.

Nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë bërë me dije për Klankosova.tv se rastet janë të ndara dhe brenda afatit, do të ushtrohet kërkesa për masën e sigurisë.

“Ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”. Mund të konfirmojmë se rastet janë të ndara dhe se prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.