I dyshuari për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve, Agim Rexhepi, i cili përfundoi në prangat e Antidrogës në një aksion të madh mbrëmjen e 4 majit, ka shpëtuar lehtë nga masa e paraburgimit. Ai u lirua pasi ofroi një shumë të madhe dorëzanie.

Burime brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nxjerrë vendim për lirimin e Rexhepit nga paraburgimi, më 13 qershor 2025.

Sipas të njëjtave burime, i njëjti ka ofruar 50 mijë euro dorëzani për t’u liruar, raporton Klankosova.tv

Kundër këtij aktvendimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë diës së djeshme ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Vendimi nga Apeli akoma nuk është marrë, ndërsa Klankosova.tv është në pritje të një përgjigje zyrtare nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, Agim Rexhepi është emër i njohur për organet e rendit dhe drejtësisë. Ai ka qenë cak i hetimit të Antidrogës që një kohë, si i dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të narkotikëve.