Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar se dy persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë për sulmin ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani i cili është edhe kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj dhe aktivistit Bahri Zabeli.

Por, sipas njoftimit të Prokurorisë, kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim. Në cilësinë e viktimave sipas njoftimit janë intervistuar Mehani dhe Zabeli. Gjithashtu janë intervistuar edhe pesë dëshmitarë.

“Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”. Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Mehani, Zabeli e edhe Vetëvendosja, kanë thënë se sulmi është kryer nga kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij.

Mirëpo, Lushtaku përmes një postimi në Facebook, e ka mohuar se e ka kryer vetë sulmin.