I riu që u plagos në kokë sonte në rrugën “Ali Sokoli” në Prishtinë, ndodhet në gjendje jostabile shëndetësore, ka konfirmuar për Gazetën Express, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla.
I kontaktuar nga Gazeta Express, lidhur me rastin doktor Syla tha se janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme.
“Një i plagosur me armë zjarri, në vitin 2001 i lindur, e sjellin në Emergjencë në gjendje të rëndë dhe jostabile, janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme. Ekipet Mjekësore kujdestare janë duke e trajtuar në QE”, tha Syla për Express.
Express raportoi se viktima është plagosur rëndë në kokë, derisa lidhur me rastin dyshohet për dy persona të maskuar që kanë ikur në këmbë në drejtim të panjohur.
Ndërkohë ka folur Enis Pllana, zëdhënës në policinë në Prishtinë, duke dhënë detaje për rastin.
“Rreth orës 21:40 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri,në rrugën “Ali Sokoli” në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur, (mashkull), është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, është shprehur Pllana.















