Një konflikt mes dy kolegëve në kompaninë “Taxi Tesla” ka eskaluar në një rast serioz që përfundoi me arrestimin e një të riu në Prishtinë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pasditen e 30 majit në rrugën “Uran Ajeti”, ku një shofer taksie ka denoncuar kolegun e tij për kanosje.

Sipas deklarimit të viktimës, G.M e kishte kërcënuar dhe gjatë konfliktit i kishte nxjerrë një armë. Pas intervenimit policor është konstatuar se arma e përdorur ishte lodër, e cila është sekuestruar si provë materiale.

Pas raportimit të rastit, Policia ka nisur kërkimin e të dyshuarit dhe nga baza e kompanisë “Taxi Tesla” ka siguruar informacione për lëvizjet e tij.

Sinjali mëson se i dyshuari është lokalizuar fillimisht në afërsi të rrethit te “Maxi 24h”, në rrugën “Agron Rrahmani”, por gjatë tentativës për lokalizim ai kishte nisur të lëvizte me veturë në mënyrë të rrezikshme.

Sipas Policisë, ai ka kryer manovra të pakontrolluara, duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion dhe madje ka hyrë edhe në kahun e kundërt të lëvizjes.

Më pas, ai e kishte braktisur veturën në rrugën “Armend Daci” dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Pas disa orësh, i dyshuari është vetëdorëzuar në Polici, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale “Kanosje” dhe “Rrezikim i trafikut publik me veprim apo mjet të rrezikshëm”.

I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet janë në vazhdim.