Hyrja e papritur e trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës në qershor të vitit 1999 thuajse shkaktoi Luftën e Tretë Botërore.
Para 26 vjetësh, një kontingjent rus prej 200 trupash hyri në Kosovë nga Bosnja e Hercegovina dhe mori nën kontroll Aeroportin e Prishtinës, vetëm pak para se të mbërrinin forcat aleate të NATO-s, duke shkaktuar një përplasje dramatike midis forcave ruse dhe forcave aleate të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Disa historianë e analistë, por edhe vetë protagonistët e kësaj ngjarjeje, janë shprehur më vonë se hyrja e trupave ruse në Kosovë, pa ndonjë marrëveshje apo koordinim paraprak me NATO-n, rrezikoi të nxiste një konflikt të ri – madje gati sa nuk e solli një Luftë të Tretë Botërore, para se shekulli i njëzetë të mbyllte dramën e vet të gjatë.
Komandant i NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan, Wesley Clark, i cili udhëhoqi sulmet ajrore kundër Serbisë, urdhëroi trupat britanike dhe franceze të përdornin forcën për të marrë kontrollin e Aeroportit të Prishtinës. Megjithatë, gjenerali britanik, Michael Jackson, i cili sa ishte caktuar komandant i KFOR-it, nuk e repsektoi urdhrin.
“Unë nuk dua të jem përgjegjës për fillimin e Luftës së Tretë Botërore”, raportohej të ketë thënë komandanti Jackson. Por, problemi u zgjidh duke e lejuar kontigjentin e vogël rus të mbetej në Sllatinë si pjesë e KFOR-it deri në korrik të vitit 2003.
Atëherë spekulohej se ky kontigjent do të numëronte 7 deri 12 mijë ushtarë, që do të merrte nën kontroll zonat e populluara kryesisht me serbë etnikë. E përpjekja për ta forcuar kontigjentin rus dështoi kur Bullgaria dhe Rumania refuzuan t’i jepnin leje për avionët rusë që të përdornin hapësirën e tyre ajrore për të përforcuar kontingjentin.
Bombardimi i Serbisë nisi më 24 mars 1999. Ajo që filloi si mision për të ndalur spastrimin etnik, u shndërrua në një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme humanitare të shekullit XX, megjithëse ishte hera e parë që NATO – në historinë e saj të atëhershme 50-vjeçare – ndërhyri pa miratim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.