Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka tentuar të distancohet nga studimi ndërkombëtar, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës quhej organizatë e banditëve dhe kriminelëve shqiptarë.

Basha përmes një reagimi në rrjetin social, Facebook, tha se është përgjegjës vetëm për kapitullin 3 të artikullit, të botuar në vitin 2012, i cili sipas tij trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.

Tutje, Basha tha se çmon lart luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri.

“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë. Në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vetë autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull”, shkroi Basha.

Jana Arsovska, bashkëautore me Dimal Bashën e një shkrimi të publikuar në vitin 2012 me titull “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor”, ka reaguar lidhur me publikimin e këtij artikulli nëpër media në vend.

Sipas asaj që raporton RTK, ajo ka thënë se Bashës i përket vetëm një pjesë e studimit të saj, ku flet për përhapjen e islamit fundamentalist.

Arsovska ka theksuar se pretendimet që po qarkullojnë në disa media, janë keqinterpretime.

“Jam njoftuar për lajmet e fundit që po qarkullojnë në Kosovë, ku Dimal Basha, kryetari i ri i Parlamentit të Kosovës, akuzohet për përmbajtjen e artikullit ‘Globalizing the Western Balkans’ të publikuar në ‘Open Edition Journals’ në vitin 2012. Duke qenë se unë jam autore e shumicës së punës në këtë studim, dua të bëj të qartë për publikun se Dimal Basha është përgjegjës vetëm për Kapitullin Tretë, ‘Expansion of Radical Islam’, dhe asnjë nga kapitujt e tjerë nuk është puna e tij. Në pak fjalë, z. Basha ka dorëzuar vetëm Kapitullin 3 për publikim, një pjesë që shqyrton përhapjen e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus të veçantë në Kosovë”, ka shkruar Arsovska në një reagim përmes e-mailit.

Dimal Basha është bashkëautor i shkrimit, për të cilin ka raportuar edhe Klankosova.tv më parë.