Anita Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, pasi kjo e fundit deklaroi se kishte lexuar në media pretendime se Ramush Haradinaj kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes. Duke i cilësuar deklaratat si shpifje dhe akuza të pabaza, Anita ka kërkuar tërheqjen e tyre dhe falje publike, duke paralajmëruar ndjekjen e rrugëve ligjore nëse deputetja nuk reflekton.

Fejza e bëri deklaratën në emisionin “Konfront” në KTV, gjatë diskutimit për dhunën ndaj grave. Sipas raportimit të KOHËS, ajo përmendi Haradinajn duke iu referuar raportimeve mediatike dhe përfoljeve. (koha.net⁠)

“Shpifjet nuk kalojnë!”, është mesazhi me të cilin Anita Haradinaj e ka nisur reagimin e saj.

Gazetarja ka theksuar se e drejta për të folur publikisht shkon bashkë me përgjegjësinë për atë që thuhet dhe se pozita politike nuk e përjashton askënd nga ky detyrim.

“Askush, pavarësisht pozitës politike që mban, nuk duhet ta konsiderojë veten mbi standardet e përgjegjësisë publike”, ka shkruar ajo.Reklamë

Haradinaj ka bërë të qartë se nuk synon një përplasje personale me deputeten, por as nuk do të heshtë përballë deklaratave që, sipas saj, cenojnë dinjitetin, reputacionin dhe familjen e saj. Ajo ka kërkuar që çdo pretendim të mbështetet në prova.

Kërkesa drejtuar Fejzës është e drejtpërdrejtë: tërheqje e deklaratës, distancim nga akuzat dhe kërkimfalje publike.

“Prandaj, të kërkoj publikisht, zonja ‘Deputete’, që ta tërheqësh deklaratën, të distancohesh dhe të kërkosh falje publike për shpifjen dhe akuzat e pabaza, sepse ato rezultojnë të pavërteta dhe cenojnë të drejtat tona”, ka deklaruar Haradinaj.

Ajo ka paralajmëruar se, në mungesë të një reagimi të përshtatshëm, do t’ua besojë organeve kompetente vlerësimin e çështjes dhe do të ndjekë rrugët ligjore që i takojnë.

Reagimin e ka përmbyllur me një mesazh për përgjegjësinë e atyre që flasin publikisht:

“Dinjiteti nuk negociohet. Reputacioni nuk duhet të bëhet viktimë e interesave politike. Dhe përgjegjësia për fjalën publike nuk është privilegj, por detyrim.