Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj është dënuar nga autoritetet gjyqësore serbe me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte.
Në dënim do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim dhe ky vendim i shkallës së parë të gjyqësorit serb mund të apelohet.
Ai u arrestua, më 3 janar 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdar dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim.
Po atë vit, autoritetet gjyqësore serbe ngritën aktakuzë ndaj tij për krime lufte.
Në lidhje me këtë vendim, ka reaguar vëllai i Nezirit, Valon Mehmetaj. “Siç e keni kuptuar nga burime të ndryshme vëllai im po mbahet në burg të Serbisë prej 03 janarit të vitit 2020 dhe pas shumë e shumë seancave gjyqësore sot datë 06 dhjetor është dhënë dënimi nga organet e drejtësisë në Serbi dhe si rezultat Nezir Mehmetaj dënohet me 6 vite burg”, ka thënë Valon Mehmetai.
Ai thotë se këtë lajm e kanë pranuar menjëherë pas përfundimit të seancës nga avokatët dhe nga zyrtari i zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës.
“Ky lajm për familjen është jo i mirëpritur pasi që për afro 5 vite rresht nuk ka pasur as edhe një fakt të vetëm që e ndërlidh vëllain me akuzën e bërë ndaj tij, por është indikative qe ky gjykim ka qenë i tejzgjatur, ka filluar në mars 2021 dhe ka përfunduar me 6 dhjetor 2024, pra më shumë se tri vite e gjysmë, por shpresojmë se drejtësia në shtetin e Serbisë do e sheh të arsyeshme të liroi për një afat sa më të shkurtër Nezirin duke llogaritur kohën e mbajtjes dhe procedurat tjera të vazhdojnë më tutje”, ka deklaruar vëllai i Nezirit.
Nga Prokuroria për Krime Lufte në Beograd kishin thënë se Mehmetaj akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë periudhës qershor-korrik të vitit 1999. Krimet supozohet se janë kryer në fshatin Rudicë, Komuna e Klinës.