Të dielën, autoritetet arrestuan edhe një person të tretë lidhur me këtë rast.

Ndërsa ekipet e forenzikës prej disa ditësh po kryejnë gërmime në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje njerëzore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë, të dielën autoritetet e Kosovës kanë njoftuar për zbulimin e një lokacioni të ri në komunën e Zubin Potokut, ku dyshohet se mund të gjenden mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, lokacioni ndodhet në fshatin Jabukë dhe është identifikuar gjatë hetimeve që po zhvillohen paralelisht me gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël. Institucionet kanë bërë të ditur se do t’i kërkojnë Gjykatës Themelore në Prishtinë autorizim për të kryer zhvarrimet dhe ekzaminimet forenzike në këtë vend.

Të dielën, autoritetet arrestuan edhe një person të tretë lidhur me këtë rast. Policia njoftoi se gjatë hetimeve ka siguruar prova që tregojnë se njëri nga të arrestuarit kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.

Sipas institucioneve, gërmimet në Kalludër të Vogël dhe identifikimi i lokacionit të ri në Jabukë janë rezultat i një hetimi që ka zgjatur rreth dy vjet.

Një ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se punimet në Kalludër të Vogël mund të zgjasin me muaj për shkak të terrenit të vështirë dhe shpërndarjes së mbetjeve mortore.

Ai tha se Serbia duhet të përballet me presion nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave shtetërore, pasi, sipas tij, kjo do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të rreth 1.600 personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur. Serbia deri më tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim.

Autoritetet kanë theksuar se është ende herët të flitet për identitetin e viktimave dhe kanë kërkuar që të priten rezultatet e analizave të ADN-së.

Megjithatë, Kurti tha se ekziston dyshimi se mbetjet e gjetura mund t’u përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur në prill të vitit 1999, të njohur si “grupi i intelektualëve”, të cilët, sipas tij, u ndaluan, u rrëmbyen dhe më pas u vranë nga forcat serbe.

Sipas Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998–1999 janë vrarë 12.230 persona. Ndërkohë, më herët këtë vit, Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave, të dyshuar për përfshirje në dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë gjatë luftës.