Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, duke i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.
Në këtë rast, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në vitin 2021, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi.
Bytyqi tha se dy të akuzuarit janë fajtorë për “Vrasje të rëndë” dhe “Dëmtim të varreve apo kufomave”, andaj i dënoi me burgim të përjetshëm ku do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Gjykatësja Bytyqi tha se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues gjatë këshillimit ka vlerësuar se nuk nevojitet që përsëri të hapet shqyrtimi gjyqësor për plotësimin e procedurës apo për sqarimin e ndonjë çështjeje konkrete.
Obligohet secili i akuzuar të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogarisë përfundimtare të gjykatës dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën nga 300 euro dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit nga 50 euro, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.
Dy të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në potfuqishmërinë e aktgjykimit.
Kundër këtij aktgjykimi, lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.
Të pranishëm gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk ishin dy të akuzuarit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.
Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi