Që nga dje, ka nisur nënshkrimi i një peticioni të Organizatës së Veteranëve të Luftës kundër Gjykatës Speciale, e në mbështetje të krerëve të UÇK-së.
Lajmin e dhanë krerët e OVL-UÇK-së në një konferencë për media.
Peticioni është online, dhe deri më tash, e kanë nënshkruar rreth 18 mijë qytetarë, e ku numri deri nesër, pritet të shkojë në 20 mijë.
Kjo shihet në linkun e peticionit, të cilin mund ta nënshkruani duke klikuar KËTU
Peticioni kërkon respektimin e parimeve thelbësore për të drejtat e njeriut. Kërkon drejtësi, dhe largim të provave nga Serbia.
Më poshtë, teksti i plotë i peticionit:
Andaj, ne konsiderojmë se:
- Vendimi duhet të bazohet ekskluzivisht në prova dhe fakte të administruara në gjykim. Çdo ndikim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë politik, do të dëmtonte rëndë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare, e cila presim të jetë e paanshme dhe pa standarde të dyfishta.
KËRKOJMË
- Respektim të plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtave themelore të të akuzuarve, respektim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; që garantojnë proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm, në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë.
- Trajtim dinjitoz dhe njerëzor, në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e të paraburgosurve, duke garantuar respekt të plotë për integritetin fizik dhe psikologjik të tyre; përfshirë këtu edhe heqjen e menjëhershme të masës së paraburgimit, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të procesit dhe parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm.
- Vlerësim rigoroz, profesional dhe plotësisht të paanshëm të provave, në përputhje me standardet ndërkombëtare të pranueshmërisë, duke përjashtuar çdo provë që nuk përmbush kriteret e besueshmërisë, autenticitetit dhe ligjshmërisë procedurale.
- Përjashtim të menjëhershëm dhe të plotë të çdo prove të siguruar apo të pranuar nga autoritetet e Serbisë, duke pasur parasysh se Serbia asokohe ishte palë në luftë dhe është dokumentuar ndërkombëtarisht përfshirja e forcave të saj në krime dhe masakra të kryera në Kosovë. Pranimi i provave të prodhuara nga ta, paraqet rrezik serioz për integritetin e procesit dhe bie ndesh me parimin e paanshmërisë dhe barazisë.
- Eliminim të aplikimit të zgjeruar të konceptit të “përgjegjësisë komanduese”, pasi që në kontekstin e luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është paraqitur si organizim i armatosur i lindur nga rrethanat e vetëmbrojtjes së popullsisë dhe jo si ushtri shtetërore me zinxhir formal dhe të institucionalizuar komandimi. Parimi i përgjegjësisë penale në të drejtën ndërkombëtare është individual dhe nuk mund të zgjerohet në mënyrë kolektive apo abstrakte pa prova konkrete të kontrollit efektiv dhe urdhërdhënies së drejtpërdrejtë.














