Tafil Hasani, arsimtar i gjuhës shqipe në fshatin Kllodernicë të Skenderajt, tash e 26 vite është në kërkim të nënës së tij, të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Si shumë të tjerë në Kosovë, Tafili thotë se është në një betejë që për çdo ditë që kalon, dhimbja rritet e shpresa zvogëlohet.

Nëna e tij, rreth moshës 60-vjeçare në atë kohë, ishte zhdukur në prill të vitit 1999, teksa forcat serbe, atë dhe shumë banorë të fshatit Kllodernicë i kishin marrë me forcë dhe po i dëbonin për në Shqipëri.

“12 prill ka qenë, edhe dita më kujtohet, 12 prilli ditë e hënë ka qenë viti 1999. Se neve pikërisht më 27 mars na kap për herë të parë, por për herë të dytë janë fut më 12 prill, ditë e hënë ka qenë viti 1999. Edhe si sot më kujtohet, kur nëna dhe bashkëshortja ime më kanë thënë “largonu ju, sepse neve apet nuk kanë çka me na bo serbët, ne shpëtojmë, por juve mos të ju nxojnë, sepse juve munden me ju dëmtu më shumë”. Edhe jemi largu ne në ato momente në kodrën e afërt, pikërisht jemi drejtu kah fshati Rakinicë”, ka thënë Hasani.

“Edhe kur janë ardhë ata te shkolla, domethënë serbët kanë vërshu domethënë me krisma të mëdhaja, me granatime të mëdhaja, domethënë me kalibra të ndryshme. Janë fut në shkollë. Edhe të gjithë, kur janë futur në shkollë, i kanë nxjerrë prej shkolle edhe i kanë dërgu për në Shqipëri. Burrat i kanë nda në njërën anë, gratë i kanë nda në njërën. Kush ka mujt me ecë, që ka mujt me ecë, gruaja ime bashkëshortja ime ka qenë vetë e katërta me fëmijë, edhe me nënën time. Mirëpo ka qenë edhe vëllai im me shoqen e vetë ka qenë, me fëmijë. Edhe ai ka qenë bashkarisht, mirëpo ata janë nisë në këmbë për Shqipëri, kurse nënën e kanë qit me disa pleq të tjerë, që s’kanë mujt me udhëtu, i kanë hyp nëpër traktora edhe e kanë nisë rrugën për në Shqipëri. Ai rasti i parë që të thash, ai është që dikund ka mbetë gjatë rrugës për në Shqipëri”.

Tafili thotë se dyshohet se nëna e tij një natë ka qëndruar në Klinë, e më pas nuk dihet asgjë për fatin e saj.

Sipas tij, dyshohet se ajo herën e fundit e gjallë është parë në vendin e njohur si “Mulliri i Jashanicës”, një lokacion në rrugën Skenderaj – Klinë.

“Ajo sipas gjasave thonë që një natë e ka bo në Klinë, kur kanë kalu të gjithë këta refugjatë tjerë, kjo një natë e ka bo në Klinë. Por tani janë kthy prapa, ata që nuk kanë mujt me kalu me shku për në Shqipëri, janë kthy, mirëpo pikërisht te ‘Mulliri i Jashanicës’, aty nuk ka ekzekutim edhe krim më të rëndë se sa me e nxjerr prej shtëpisë, me nxjerr domethënë me detyru me flejt në natyrë, po hëngër, pa pi, me frikë, me stres, domethënë krim më të madh nuk ka. As gjenocid më të madh nuk di ku mundet me pasë, se sa me e bo një vdekje të dhunshme, një vdekje të parakohshme” – rrëfen Hasani.

“100% aty dyshoj, në atë gropë. Sepse sipas dëshmitarëve okularë, mua më kanë thënë që kur kanë kalu disa njerëz asajde, ia kanë ofru do bukë, sepse nëna ime ka qenë me tri plaka aty. Edhe kur ia kanë ofru asaj do bukë, i ka thënë ‘mo mos na jep bukë sepse po na hanë qentë natën, edhe po na hanë edhe neve’. Kështu që nuk kanë pranu as me marrë ndihmë prej dikujt, për shkak të traumave, për shkak të krizës, për shkak të tmerrit që e ka shkaktu Serbia”.

Me shpresën e vazhdueshme për gjetjen e saj, të paktën trupin, Tafili pas përfundimit të luftës kishte shkuar deri në Shqipëri duke kërkuar nënën, por pa sukses.

Nënën e tij nuk e gjeti asnjëherë deri tani.

“Kam shku i kam pyet dëshmitarët, domethënë disa vendas aty, në atë pjesë të Jashanicës, i kam pyet disa “a ka ndonjë varr të dyshimtë dikund” që nuk e dijnë apo që e ka varros dikush, edhe nuk e dinë kush ka qenë i varrosur, kam shku kam biseduar me disa njerëz, me disa fshatarë aty, mirëpo nuk më kanë dhënë sqarime, nuk kanë ditë”, ka thënë Tafil Hasani.

“Mirëpo kam qenë edhe në Shqipëri kam qenë, menjëherë në qershor kah i 20-ti qershor ka qenë. Kam qenë në spitalin e Kukësit, sepse sipas dëshmitarëve okularë thojshin se disa kanë mbet në spital. Edhe aty kur kam shku thashë kanë qenë në luftë familjarët e mi, mirëpo gjithë janë kthy, veç nana nuk m’u ka kthy, edhe po dyshoj se mos më ka mbet në spital këtu rastësisht, erdha veç me e këqyrë me e verifiku, tha ‘jo nuk është kurrkush’. Pra ‘pasi që ke ardhë prej atjehit’ tha ‘hyn edhe këqyre në spital’. Edhe jam hy nëpër disa dhoma të spitalit, edhe i kam zbulu a din sepse ishin nëpër spitale nëpër krevate ratë, mirëpo jo nuk kam mujt me e gjetë”.

Tafil Hasani nuk është dorëzuar. Ai ka përgatitur një padi ndaj shtetit serb për krimet që janë kryer në fshat dhe ndaj familjes së tij.

Megjithëse padia e tij ishte refuzuar në vitin 2017, ai thotë se është duke përgatitur padinë që edhe njëherë ta dorëzoj në gjykatat e Kosovës.

Në ndërkohë, në datat 14 dhe 15.05.2025 autoritetet e Kosovës përfshirë Policinë, Prokurorinë, IML-në dhe Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit kanë kryer kërkime në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, ku janë gjetur mbetje mortore të tre njerëzve që dyshohet se i përkasin luftës së fundit në Kosovë.

Me 11 identifikimet që janë kryer së fundmi në muajin mars, aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë janë edhe 1,577 persona që konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë tha se nga lufta janë zhdukur 1,047 persona, janë plagosur 6,682, janë burgosur 3,312, si dhe kanë pësuar torturë, dhunë, pasoja psikologjike 193,765 njerëz.

Ndërsa sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë konsiderohen të zhdukur ende edhe 1,636 persona.

Në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për zbatim të plotë për Deklaratën e Personave të Pagjetur.

Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime, si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.